Lëvizja për reformimin e opozitës e ish-deputetit demokrat Ervin Salianji po shfaqet si një nga zhvillimet më domethënëse brenda Partisë Demokratike gjatë vitit 2026, shkruan rrjeti investigativ ballkanik, BIRN.
Rregullisht në daljet e tij publike, Salianji e ka konsideruar PD-në dhe opozitën të përgjumur dhe në gjendje letargjie, të çorganizuar dhe të pafuqishme për t’iu kundërvënë mazhorancës. Skandali Balluku dhe mungesa e reagimit nga ana e opozitës shërbeu për Salianjin si një mundësi ideale për të shpalosur alternativën e tij që parashikon çrrënjosjen e perceptimit që e konsideron opozitën të vogël, të papërfillshme apo dhe që nuk bën diferencën në raport me shumicën qeverisëse.
Sipas analizës së BIRN, përpjekja e Ervin Salianjit për të ristrukturuar opozitën dhe për t’i dhënë fund përçarjeve të brendshme synon ta shndërrojë PD-në nga një forcë në krizë identiteti prej një kohe relativisht të gjatë, në një alternativë reale për rotacion politik dhe qeverisjen e nesërme të vendit.
BIRN thekson gjithashtu se “veprimet e Salianjit pritet të bëhen më të qarta gjatë vitit 2026, veçanërisht nëse ai do të krijojë një fraksion të ri politik apo do të përpiqet të marrë drejtimin e Partisë Demokratike”.
Shkrimi i BIRN (Marrë me shkurtime)
Ky do të jetë një vit vendimtar për përcaktimin e qasjes së qeverisë shqiptare ndaj sistemit të drejtësisë, ndërsa vendi synon të ruajë progresin e arritur drejt anëtarësimit në BE në vitin 2025.
Kryeministri Edi Rama ka kritikuar ashpër Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, pasi kjo e fundit kërkoi arrestimin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, zyrtares më të lartë publike të akuzuar deri më tani.
Pyetja është nëse qeveria do të vazhdojë të sulmojë institucionet e drejtësisë për t’u ardhur në mbështetje bashkëpunëtorëve të Ramës – ndërkohë që këto janë po ato institucione që kanë sjellë progres real në procesin e anëtarësimit të vendit në BE, proces që Rama është zotuar ta përmbyllë deri në fund të dekadës.
SPAK u krijua në vitin 2019. I njohur më së shumti për ndjekjen penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta, ai po përballet gjithashtu me një sfidë lidhur me ruajtjen e pavarësisë së tij.
Drejtuesi i ri që nga dhjetori, Klodian Braho, duhet të menaxhojë pritshmëri të larta dhe presionin publik e politik, pasi paraardhësi i tij, Altin Dumani, ngriti ndjeshëm pritshmëritë duke ndjekur penalisht zyrtarë të lartë, duke treguar për herë të parë që nga fundi i komunizmit se askush nuk është mbi ligjin.
Ndërkohë, edhe partia kryesore opozitare, Partia Demokratike, përballet me një sfidë – reformimin e saj gjatë vitit 2026, pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme në maj të vitit të kaluar, çka sipas shumicës së analistëve politikë është thelbësore për të krijuar një alternativë të re politike për vendin.
Deri më tani, pavarësisht organizimit të protestave kundër Ramës, ajo nuk ka bërë shumë përparim. “Partia Demokratike po dështon ta shfrytëzojë situatën në favorin e saj ose të mobilizojë publikun”, tha për BIRN eksperti politik dhe profesori Ermal Hasimja.
“Ajo nuk ka besueshmërinë e nevojshme politike. Publiku e sheh si pjesë të një elite që punon për interesat e veta dhe jo për vendin. Që nga viti 2013 (kur humbi pushtetin), Partia Demokratike nuk arriti të ndryshojë mjaftueshëm për t’u bërë e besueshme”, shtoi Hasimja.
Megjithatë, një zhvillim i vogël, por domethënës, mund të ndikojë në perspektivën e partisë. Në dhjetor, ish-deputeti Ervin Salianji nisi të zhvillojë një seri takimesh, duke u folur mbështetësve të opozitës me synim reformimin e partisë. Kreu i partisë, Sali Berisha, i cili është nën sanksione amerikane dhe përballet gjithashtu me akuza për korrupsion nga SPAK, i ka quajtur këto takime një “tur personal” që nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të partisë. Por Salianji është zotuar se do të vazhdojë.
Veprimet e tij pritet të bëhen më të qarta gjatë vitit 2026, veçanërisht nëse ai do të krijojë një fraksion të ri politik apo do të përpiqet të marrë drejtimin e Partisë Demokratike./ reporter.al
