Zef Gjonaj, iniciator i Kuvendit të Veriut të Shqipërisë ishte pjesë e tryezës së organizuar nga Sali Berisha dhe PD me aleatët politikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Gjatë fjalës së tij, me tone të ashpra dhe i revoltuar, Gjonaj kritikoi disa nga aleatët pjesëmarrës, të cilët i cilësoi si “politikanë që përfaqësojnë parti pa emër dhe pa elektorat”. Edhe pse nuk përmendi emra konkretë.
Ai theksoi se shoqëria shqiptare pret ndryshime reale nga inteligjenca vendase dhe nga diaspora shqiptare, duke nënvizuar se denoncimet e vazhdueshme nuk mjaftojnë për të sjellë fitore politike.
“Unë këtë tryezë e shoh si një takim të njerëzve të ditur të Shqipërisë, të cilët kanë ardhur për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate, për të sqaruar se ku jemi dhe çfarë do të bëjmë. Vetëm me denoncime nuk fitohet kurrë. Në terren gjejmë njerëz që kanë nevojë për inteligjencën tonë”, u shpreh Gjonaj.
Duke iu referuar përvojës së tij jashtë vendit, ai deklaroi se është rikthyer në Shqipëri për të sjellë një kulturë moderne, ndërsa ironizoi disa përfaqësues politikë që, sipas tij, përfaqësojnë parti pa peshë elektorale.
“Më vjen mirë kur shoh moshën që janë krah meje që janë politikanë, por me thënë të drejtën kanë ardhur sot të larë, të veshur dhe të mbathur, janë lodhur tre ditë për të gjetur një kollare për të ardhur këtu dhe për të përfaqësuar parti pa emër, pa numër dhe pa elektorat. Populli pret ndryshime nga inteligjenca shqiptare, edhe nga diaspora shqiptare”, tha Gjonaj.
