Ndonëse ujërat e lumenjve kanë nisur të shënojnë ulje dhe tërheqje, situata mbetet e pandryshuar në fushën e Myzeqesë. Qindra hektarë tokë bujqësore të kultivuara vijojnë të jenë nën ujë prej disa ditësh. Konkretisht, mbi 150 hektarë tokë bujqësore në njësitë administrative Grabjan dhe Gradishtë të bashkisë Divjakë mbeten të përmbytura. Po ashtu, mbi 200 hektarë tokë në njësitë administrative Dushk dhe Golem ndodhen nën pushtetin e ujit.

Fermerët e këtyre zonave po përballen për herë të dytë brenda një muaji me përmbytje. Përmbytjet e nëntorit janë ende të freskëta, ndërsa ky fillim janari ka rrënuar plotësisht prodhimet bujqësore të fermerëve. Arjan Çela, fermer në Dushk, tregon se përmbytjet i kanë groposur përfundimisht të mbjellat dhe se pa ndihmën e shtetit nuk mund të përballojnë mbjelljet e pranverës, për të cilat tokat ishin përgatitur prej kohësh.

Ndryshe nga versioni zyrtar, ku theksohet gatishmëria dhe mbështetja ndaj fermerëve, Dritan Kolleshi, specialist i bujqësisë, hedh poshtë këtë propagandë. Ai thekson se duhej ndërhyrë më herët për pastrimin e kanaleve kulluese, pasi mungesa e mirëmbajtjes së kanaleve të zonave kodrinore ka bërë që uji të grumbullohet në basenet e hidrovoreve, të cilat e kanë të pamundur evakuimin e sasive të mëdha të ujit drejt detit. Kanalet e zonave kodrinore kanë për funksion nxjerrjen e ujit jashtë basenit të hidrovoreve, për të mos rritur më tej sasinë e ujit që përfundon në to.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: