Aktori i njohur turk Can Yaman është arrestuar në Turqi në kuadër të një hetimi të gjerë për trafik dhe konsum të lëndëve narkotike, ku dyshohet se janë të përfshirë personazhe të njohur të botës së artit, gazetarë dhe VIP-a të Stambollit. Lajmi bëhet i ditur nga mediat turke.

Yaman, i cili gëzon popullaritet të madh edhe në Itali falë roleve të tij protagoniste në disa seriale shumë të suksesshme, është arrestuar së bashku me gjashtë persona të tjerë, mes tyre edhe aktorja Selen Gorguzel.

Shtatë personat e arrestuar janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për t’iu nënshtruar analizave, me qëllim verifikimin nëse kanë konsumuar lëndë narkotike, kur dhe çfarë lloj substance. Ndërkohë, policia ka zhvilluar gjatë natës kontrolle dhe bastisje në nëntë klube nate në Stamboll, ku janë arrestuar disa shpërndarës droge si dhe administratorë lokalesh, në të cilat dyshohet se shiteshin lëndë narkotike.

Sipas mediave, në javët e fundit, në kuadër të të njëjtit hetim, mbi 20 personazhe të njohur të botës së spektaklit, VIP-a dhe gazetarë kishin rënë në rrjetën e policisë dhe ishin vënë nën hetim. Can Yaman, së bashku me të arrestuarit e tjerë, përfshirë edhe drejtues lokalesh, është shoqëruar në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Stambollit për verifikimin e mundshëm të përdorimit të drogës.

Operacioni po drejtohet nga Zyra Hetimore për Kontrabandën, Trafikun e Lëndëve Narkotike dhe Krimet Ekonomike pranë Prokurorisë së Përgjithshme të Stambollit.

Sipas burimeve mediatike turke, ndaj Can Yaman nuk ishte lëshuar më parë një urdhër-arresti. Ai dyshohet se është kapur në posedim të lëndëve narkotike gjatë kontrolleve në një nga lokalet e bastisura, çka ka çuar në arrestimin e tij në flagrancë.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje, e cila ka tronditur opinionin publik në Turqi dhe më gjerë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb