Mbi 100 protestues janë vrarë si pasojë e shtypjes brutale të protestuesve nga Qeveria gjatë demonstratave të vazhdueshme mbarëkombëtare kundër pushtetit klerikal të Iranit.
Radio Farda e Radios Evropa e Lirë (REL) ka verifikuar vdekjen e 25 protestuesve deri më 9 janar, përfshirë pesë të mitur, megjithëse besohet se numri i vërtetë i viktimave është më i lartë.
Demonstratat shpërthyen në pazaret e kryeqytetit, Teheran, më 28 dhjetor. Prej atëherë, ato janë përhapur në dhjetëra qytete dhe qyteza në gjithë vendin me rreth 92 milionë banorë.
Më shumë se gjysma e vdekjeve të verifikuara nga REL-i kanë ndodhur në provincat perëndimore Lorestan, Ilam dhe Kermanshah.
Këto tri provinca të varfra janë shtëpi e pakicave etnike dhe janë goditur rëndë nga përkeqësimi i krizës ekonomike të Iranit, duke i nxitur demonstratat.
Shumica dërrmuese e protestuesve të vrarë janë burra të rinj dhe shumica vdiqën nga plagët e shkaktuara nga armët e zjarrit. Forcat iraniane kanë përdorur taktika të ashpra, përfshirë qëllimin në drejtim të turmave të protestuesve.
Praktikanti ligjor
Të paktën shtatë protestues janë vrarë në Lorestan, shtëpia e grupit etnik lor. Pesë u vranë vetëm në qytetin e vogël Azna.
Mes tyre ishte Ahmad Reza Amani, 28 vjeç, praktikant në shoqatën vendëse të avokatëve. Ai u qëllua për vdekje nga forcat e sigurisë gjatë një proteste më 1 janar.
Mustafa Fallahi, 15 vjeç, u vra gjithashtu gjatë demonstratës në Azna. Një tjetër adoleshent, Taha Safari 16 vjeç, u qëllua dhe më pas vdiq nga plagët.
Amir Hossam Khodayarifard u vra nga forcat e sigurisë gjatë një proteste në qytetin Kohdasht të Lorestanit më 1 janar. Dega lokale e Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) tha se Khodayarifard ishte anëtar i forcës paramilitare Basij, një pretendim i hedhur poshtë nga familja e tij.
Ahad Ebrahimi është një tjetër protestues i vrarë në Lorestan. Ai u qëllua për vdekje gjatë një proteste në qytetin Noorabad më 1 janar.
Badibuillderi dhe boksieri
Dhjetëra protestues u mblodhën më 3 janar pranë një ndërtese dykatëshe të përdorur nga IRGC-ja në qytetin Malekshahi të provincës Ilam. Ndërsa demonstruesit brohorisnin slogane kundër pushtetit dhe hidhnin gurë drejt ndërtesës, anëtarët e IRGC-së u ngjitën në çati dhe hapën zjarr mbi turmën.
Pesë njerëz u vranë në një nga incidentet më vdekjeprurëse që nga shpërthimi i protestave.
Fares Aghamohammadi, Mehdi Emamipur dhe Latif Karimi ishin ndër të qëlluarit për vdekje. Karimi ishte një ish-anëtar i IRGC-së, i cili u qëllua pasi u bëri thirrje forcave të sigurisë të mos qëllonin mbi protestuesit, sipas djalit të tij. Familjarët e tij i thanë Radios Farda se ai ishte mes protestuesve.
Reza Azimzadeh, 27 vjeç, badibuillder, ishte një tjetër protestues i vrarë më 3 janar në Malekshahi. Një sportist tjetër, boksieri Mohammad Reza Karami, u plagos gjatë protestës dhe më pas vdiq në spital.
Shoferi i kamionit
Tre protestues u vranë në provincën Kermanshah më 3 janar. Mes tyre ishin vëllezërit Rasul dhe Reza Kadivorian, të dy punëtorë ndërtimi.
Më i madhi, Reza 20 vjeç, u qëllua për vdekje gjatë protestës. Vëllai i tij, Rasul 17 vjeç, u qëllua dhe u plagos, por më vonë vdiq në spital.
Në qarkun Haris të Kermanshahut, një shofer kamioni 42-vjeçar u vra gjatë një proteste më 2 janar. Autoritetet pretenduan se Ali Azizi ishte anëtar i IRGC-së, një pretendim i mohuar nga familja e tij.
Trajneri i futsallit
Në provincën jugore Fars, Khodadad Shirvani-Manfard, u qëllua në kokë nga afër gjatë protestave më 1 janar në qytetin Marvdasht.
Të afërmit e 33-vjeçarit i thanë Radios Farda se ai u vra pranë një stacioni policor. Video të publikuara në rrjetet sociale treguan protestuesit duke e bartur trupin e tij.
Dy të tjerë – përfshirë Amir Mohammad Kohkan, 26 vjeç, trajner futsalli, dhe Mansur Mokhtari – u qëlluan për vdekje nga forcat e sigurisë në Marvdasht. Të afërmit e Kohkan i thanë Radios Farda se ai vdiq nga një plagë plumbi në kraharor.
Artisti i hip-hopit
Të paktën katër persona janë vrarë në provincën jugperëndimore Chaharmahal dhe Bakhtiari. Mes tyre janë Sajjad Valamanesh Zeilaei, 20 vjeç, dhe Ahmad Jalil, 21 vjeç, të dy të vrarë gjatë një tubimi në qytetin Lordegan më 1 janar.
Soroush Soleimani, 28 vjeç, i cili thuhej se ishte artist hip-hopi, u qëllua për vdekje më 4 janar gjatë protestave në Hafeshjan. Video treguan protestues duke i vënë flakën një ndërtese në qytet.
Pronari i dyqanit
Qyteti i shenjtë shiit i Qomit ka përjetuar disa protesta që janë shndërruar në vdekjeprurëse.
Hossein Rabiei vdiq pasi pësoi plagë plumbi në kraharor. Një zyrtar lokal në Qom tha se 34-vjeçari, pronar dyqani, vdiq pasi shpërtheu një granatë dore që ai po mbante. Ky pretendim është hedhur poshtë nga familja e tij.
Mohammad Nuri vdiq në Qom më 2 janar. Të afërmit e tij thanë se ai u qëllua në kraharor.
Në provincën qendrore Isfahan, Dariush Ansari Bakhtiarvand u vra gjatë një proteste në qytetin Foladshahr më 1 janar. Pamje të trupit të tij të pajetë në një spital janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale.
Policia ka pretenduar se 37-vjeçari u vra pas një përleshjeje me persona të panjohur, por të afërmit e tij thanë se ai u ndoq dhe u vra nga oficerë të sigurisë pasi kishte marrë pjesë në protestën në Foladshahr./ REL
