Një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore të viteve të fundit në zonën lindore të vendit, rruga e re Librazhd-Bulqizë, konkretisht aksi Zgosht–Ura e Çerenecit, është shndërruar këtë fundjavë në një problem serioz për qindra qytetarë dhe turistë. Segmenti që përshkon mes për mes fshatin turistik Fushë Studen, në Njësinë Administrative Steblevë të bashkisë Librazhd, deri në mesditën e së dielës ka qenë pothuajse i pakalueshëm, për shkak të mungesës totale të ndërhyrjes për pastrimin e dëborës dhe hedhjen e kripës.
Sipas burimeve nga terreni, firma kontraktore përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugës nuk ka kryer asnjë ndërhyrje, pavarësisht reshjeve të dendura të dëborës dhe temperaturave të ulëta që kanë sjellë ngrica të rrezikshme. Si pasojë, me dhjetëra automjete dhe qindra turistë, të nisur drejt turizmit malor në Parkun Kombëtar të Shebenikut, kanë mbetur të bllokuar për orë të tëra në zonën e njohur si “Shkalla e Lunikut”.
Situata është bërë edhe më problematike nga vonesat e shumta në reagim, pasi kërkesat e vazhdueshme të drejtuesve të mjeteve dhe turistëve për ndërhyrje janë marrë parasysh vetëm pas një kohe të gjatë, duke lënë qytetarët në kushte të vështira, mes të ftohtit dhe rrezikut për aksidente.
Ironikisht, asfaltimi i këtij segmenti rrugor, që lidh Librazhdin me Bulqizën dhe Peshkopinë, është konsideruar si një nxitje e fortë për zhvillimin e turizmit malor dhe ekonomisë lokale. Por pikërisht në këtë fillim viti, kur reshjet e dëborës kanë qenë të shumta dhe fluksi i turistëve mjaft i lartë, është evidentuar qartë se mungon çdo plan serioz për mbajtjen funksionale të kësaj arterie rrugore malore, tashmë të asfaltuar me fonde publike.
Vetëm disa ditë më parë, rruga u hap përkohësisht falë ndërhyrjes së ASHP-së së bashkisë Librazhd, pasi qindra banorë të fshatrave të zonës mbetën të izoluar, duke dëshmuar se pa ndërhyrje emergjente institucionale, situata do të ishte edhe më dramatike.
Ky investim strategjik, që në letër synon jo vetëm përmirësimin e ndërlidhjes mes dy qarqeve, por edhe krijimin e një aksesi të qëndrueshëm drejt bukurive natyrore të zonës lindore, po rrezikon të humbasë vlerën e tij reale për shkak të mungesës së mirëmbajtjes dhe përgjegjësisë. Malet, pyjet, kultura dhe mikpritja e komuniteteve vendase mbeten aty, por pa rrugë të hapura dhe të sigurta, turizmi malor rrezikon të mbetet vetëm një premtim i parealizuar.
Ngjarja e kësaj fundjave ngre pikëpyetje serioze mbi menaxhimin e investimeve publike, rolin e firmave kontraktore dhe nevojën urgjente për një përgjegjësi më të madhe institucionale, për të mos e kthyer një rrugë strategjike në një tjetër simbol të dështimit në kushte dimërore.
