Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi të hënën në mëngjes se protestat që kanë tronditur vendin që prej 28 dhjetorit janë “vënë nën kontroll të plotë”, ndërsa ndërprerja e komunikimeve dhe e internetit vazhdon në të gjithë vendin.

Në deklarata të transmetuara nga Al Jazeera, e cila ka arritur të vazhdojë raportimet pavarësisht bllokimit të internetit, Araghchi u shpreh se Teherani është i përgatitur për çdo skenar. “Ne jemi të gatshëm për luftë, por edhe për dialog”, tha ai.

Ministri i Jashtëm iranian akuzoi drejtpërdrejt Donald Trumpin dhe Izraelin për përshkallëzimin e dhunës gjatë dy javëve të fundit.
“Sipas tij, protestat u bënë të dhunshme dhe të përgjakshme për t’i dhënë presidentit amerikan një justifikim për të ndërhyrë në punët e brendshme të Iranit,” argumentoi Araghchi. Ai shtoi se dhuna arriti kulmin fundjavën e kaluar, duke lënë pas një bilanc të rëndë viktimash.

Vështirësi në verifikimin e situatës në terren

Me ndërprerjen pothuajse totale të internetit dhe të rrjeteve të komunikimit, është jashtëzakonisht e vështirë të verifikohet situata reale në terren. Raportime jozyrtare flasin për mbi 500 protestues të vrarë, por këto shifra nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

Ndërkohë, televizioni shtetëror iranian po transmeton pamje nga rrugët e Teheranit, duke pretenduar se “qetësia është rikthyer” në kryeqytet që nga mbrëmja e së dielës dhe se forcat e sigurisë kanë shpërbërë të ashtuquajturat “celula” protestuese. Situata në Iran mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ndjek me shqetësim zhvillimet dhe pasojat e përplasjes mes autoriteteve dhe protestuesve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb