Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Maliq, e zhvilluar gjatë ditës së sotme, janë shënuar tensione dhe debate të forta. Seanca ishte thirrur për të diskutuar bilancin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e nëntorit dhe reshjet e ditëve të fundit, por mbledhja është shoqëruar me mungesë të theksuar të këshilltarëve, si nga maxhoranca ashtu edhe nga opozita.
Në sallë kanë qenë të pranishëm fermerë të zonës së Maliqit, të cilët kanë ndjekur nga afër zhvillimet e seancës.
Gjatë mbledhjes, fermerët kanë protestuar duke kërkuar dëmshpërblim për dëmet e pësuara, ndërsa tensionet janë përshkallëzuar në momente të ndryshme.
Në shenjë pakënaqësie, ata kanë nisur të thërrasin “Turp” në drejtim të këshilltarëve dhe më pas kanë goditur tavolinat, duke shprehur indinjatën për mungesën e zgjidhjeve konkrete.

Sipas fermerëve, deri më tani nuk është marrë asnjë masë për kompensimin e dëmeve në Bashkinë Maliq. Ata kanë paralajmëruar se, nëse situata vijon të mbetet e pandryshuar, protestat do të intensifikohen dhe do të shtrihen në të gjithë zonën.

Të pranishmit në mbledhje kanë ngritur shqetësimin se bashkia nuk ka përcjellë pranë qeverisë dokumentacionin e nevojshëm për nisjen e procedurave të dëmshpërblimit. Kjo situatë është konsideruar nga fermerët si mungesë serioziteti dhe tallje me problemet e tyre.

Julian Guri një prej fermerëve potencialë në territorin e bashkisë Maliq ju bën thirrje fermerëve për rezistencë.

“Asnjë nuk duhet të lëvizi që këtu, ne duam përgjigje konkrete, le të vijë kush të dojë, çfarë do bëhet. Ku janë dëmshpërblimet?” – thotë fermeri.

Zona e Maliqit renditet ndër më të prekurat nga përmbytjet në qarkun e Korçës, veçanërisht në sektorin e bujqësisë. Sipas të dhënave të fundit, rreth 3 600 hektarë tokë bujqësore e mbjellë ndodhen ende nën ujë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme ekonomike për fermerët e zonës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: