Manchester City ka përjetuar një revolucion të vërtetë në harkun e 12 muajve të fundit. Pas një nisjeje të vështirë të sezonit 2024/25, ku skuadra regjistroi vetëm një fitore mes 30 tetorit dhe 21 dhjetorit, drejtuesit e klubit, vendosën të ndërhyjnë fuqishëm në merkato për të rifreskuar një organikë që, pavarësisht sukseseve të mëparshme, dukej e lodhur dhe jo më konkurruese në të gjitha frontet.
Pika e kthesës erdhi në merkaton e janarit 2025, me investime të konsiderueshme që kapën shifrën e 218 milionë eurove. Omar Marmoush, Abdukodir Khusanov, Nico Gonzalez dhe Vitor Reis u bënë pjesë e projektit të ri, duke i dhënë Pep Guardiolës alternativa dhe energji të reja, në një moment kur tekniku katalanas kishte shprehur hapur pakënaqësinë për një skuadër të shkurtër në numra.
Revolucioni vijoi edhe gjatë verës së vitit 2025, kur te “Citizens” mbërritën emra të rëndësishëm dhe talente premtuese si Gianluigi Donnarumma, Rayan Cherki, Tijjani Reijnders, James Trafford dhe Sverre Nypan, duke forcuar çdo repart të skuadrës.
Ndërhyrja e fundit erdhi në merkaton dimërore të vitit 2026, me transferimin e Antoine Semenyo nga Bournemouth për 73.7 milionë euro. Me këtë blerje, shpenzimet totale të Manchester City-t në një vit arrijnë pothuajse në 500 milionë euro, një sinjal i qartë i ambicies së klubit për t’u rikthyer në majat e Premier League dhe Champions League.
