Partizani respektoi pritshmëritë dhe kaloi për në raundin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë duke mposhtur në “Arenën e Demave” me rezultatin 3-0, Burrelin. Në prononcimin e tij pas ndeshjes për “Panorama Sport”, trajneri i kryeqytetasve, Oltijon Kërnaja theksoi se skuadra e tij e kishte vlerësuar maksimalisht përballjen me matjanët duke shtuar se Kupa është një kompeticion i shndërruar në objektiv kryesorë duke qenë se mundëson edhe pjesëmarrjen në Kupat e Europës.

Sakaq, Kërnaja komentoi edhe merkaton duke u shprehur se pret lojtarë të cilët mund të përshtaten me karakteristikat e skuadrës së tij, por edhe që të ketë minuta në këmbë përndryshe tha se mund të vazhdojë përpara edhe me organikën aktuale të skuadrës.

Ndeshja ndaj Burrelit– “Të them të drejtën ekipi e kishte vlerësuar maksimalisht kundërshtarin, Burrelin. Dihet tashmë që objektivi i Partizanit është edhe Kupa, një nga mundësitë më reale për të shkuar në Europë. Për këtë arsye e kishim vlerësuar maksimalisht, por i dhamë mundësi edhe të gjithë djemve, ndoshta për të fituar edhe ndonjë element të ri siç është rasti i Vatës dhe Abdus, dy djem që vijnë nga skuadra e U19. Djemtë dolën mirë, zbatuan detyrat që i kemi dhënë dhe kjo si ndeshje na shërbeu edhe për takimin e radhës në kampionat pas pesë ditësh me Vorën”.

Gjendja e grupit – “Marku dihet që ka humbur sezonin pas dëmtimit në Rrogozhinë me Egnatian, do të bëhet operim besoj javën që vjen. Janjeva dhe Toma kanë pasur disa rëndesa dhe menduam t’i ruajmë mos t’i rëndonim më shumë duke parë që luajmë në terren me tapet artificial dhe po kështu do të jetë edhe pas pesë ditësh dhe ishte mirë t’i ruanim meqë kanë shfaqur disa probleme”.

Merkato dhe dëshira për një sulmues – “Kemi folur me drejtorin Ibraimi, grupi është. Nuk kemi ndonjë emër konkret, nëse vjen dikush është i mirëpritur, por edhe nese nuk vjen nuk është problem. Ne i kemi lojtarët, dhe sot bëri jashtëzakonisht mirë Bintsuka në krah të sulmit. Kemi edhe lojtarë nga akademia, kështu që grupi është. Nëse ne arrijmë të gjejmë një lojtarë që i përshtatet karakteristikave tona, por që të ketë edhe minuta në këmbë atëherë është i mirëseardhur, në të kundërt do të vazhdojmë me grupin që është”.

Zona e “Final Four”, diferenca prej shtatë pikësh me vendin e katërt – “Të themi të drejtën është një objektiv i joni për ta arritur “Final Four”. Shtatë pikë janë edhe shumë, por janë edhe pak ndonjëherë se dy ndeshje janë. Ne kemi për të luajtur edhe nga dy herë me të gjitha ekipet kështu që pikët janë aty. Ka kaluar vetëm gjysma e kampionatit, mos harrojmë që në tetor ishim 13 pikë larg “Final Four”, sot jemi afruar dhe ndoshta me disa episode që mund të ishin në favorin tonë në dy ndeshjet e fundit ndaj Egnatias dhe Dinamos do të kishim disa pikë më shumë dhe do të ishim akoma më afër. Por, futbolli është i bukur, ne do të bëjmë detyrën tonë dhe pastaj do t’ia lejmë kohës se ku do të jemi në renditje”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb