Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi dënon shkeljen e rregullores nga Kuvendi që sipas tij, zbaton urdhrin politik të Edi Ramës për të zvarritur çështjen dhe për të penguar drejtësinë, në rastin e Belinda Ballukut.

Pas vendimit të Kuvendit për zhvillimin e mbledhjes së Këshillit të Mandateve më 28 janar, ku do të shqyrtohet kërkesa e SPAK, për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, Bardhi në një mesazh në Facebook shkruan se, janë plot 6 javë vonesë që nga kërkesa e SPAK në Kuvend.

Sipas tij, kjo kohë i dha mundësi Ballukut të cenojë provat si dhe të intimidojë dëshmitarët e SPAK.

Reagimi i plotë

Pas kallëzimit penal për shpërdorim detyre nga Grupi Parlamentar i PD, sot pasdite Niko Peleshi ka njoftuar se do të mbledhë Këshillin e Mandateve në datën 28 Janar 2026, pra fiks 6 javë pasi SPAK ka paraqitur kërkesën.

Ky bllokim 6-javor është i paprecedent dhe një akt i lartë papërgjegjshmërie nga ana e mazhorancës socialiste, që ka vendosur të jetë bunkeri i të korruptuarve të qeverisë së Edi Ramës.

Pengimi i drejtësisë dhe bllokimi nga Kuvendi i shqyrtimit të kërkesës së SPAK për 6 javë, ka cënuar hetimet dhe i ka dhënë mundësi të pandehurës Balluku që të tentojë prishjen e provave/intimidimin e dëshmitarëve.

Edi Rama nuk fshihet më në vullnetin e tij për të mbrojtur korrupsionin qeveritar. Akte si këto, të diktuara nga tmerri se drejtësia po i afrohet më në fund atij vetë, tregojnë se sa të shpejtë dhe të dhimbshëm do ta ketë fundin e tij.

Në emër të Grupit Parlamentar të PD dënoj me forcë shkeljen e Rregullores nga Niko Peleshi dhe zbatimin prej tij të urdhërit politik të Edi Ramës për të zvarritur çështjen dhe për të penguar drejtësinë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb