Shefi i NATO-s, Mark Rutte, tha të hënën se aleanca po punon për të gjetur mënyra për të forcuar sigurinë në Arktik , ndërsa Evropa përpiqet të shmangë interesin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të marrë Groenlandën.
“Aktualisht po punojmë për hapat e ardhshëm për t’u siguruar që ne mbrojmë kolektivisht atë që është në rrezik”, u tha Rutte gazetarëve gjatë një vizite në Kroaci .
Trump ka tronditur aleancën prej 32 vendesh duke refuzuar të përjashtojë forcën ushtarake për të pushtuar territorin autonom të Danimarkës, një anëtare tjetër e NATO-s .
Udhëheqësi amerikan ka përdorur nevojën për të rritur sigurinë në rajonin e Arktikut përballë Kinës dhe Rusisë si një justifikim kyç përse Uashingtoni duhet të kontrollojë ishullin.
“Të gjithë aleatët bien dakord për rëndësinë e Arktikut dhe sigurisë së Arktikut, sepse e dimë se me hapjen e rrugëve detare ekziston rreziku që rusët dhe kinezët të jenë më aktivë”, tha Rutte.
“Aktualisht po diskutojmë hapin tjetër drejt kësaj, si të sigurohemi që të japim vazhdimësi praktike të këtyre diskutimeve”, tha ai.
Diplomatët në NATO thonë se disa anëtarë të aleancës po shqyrtojnë ide, përfshirë edhe nisjen e mundshme të një misioni të ri në rajon.
Por deri më tani, diskutimet janë në një fazë embrionale dhe nuk ka propozime konkrete në tryezë, thonë ata.
Udhëheqësit evropianë kanë mbështetur Danimarkën , ndërsa ajo kërkon të kundërshtojë dëshirën e Trump për Groenlandën.
Ministrat e jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës do të zhvillojnë bisedime këtë javë me diplomatin e lartë amerikan, Marco Rubio.
Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, ka paralajmëruar se nëse Uashingtoni vazhdon me një sulm të armatosur ndaj Groenlandës, kjo do të shënonte fundin e NATO-s.
Megjithatë, Trump ka reaguar duke këmbëngulur se e ka bërë aleancën më të fortë duke i detyruar vendet evropiane të rrisin shpenzimet e mbrojtjes.
“Unë jam ai që e SHPËTOI NATO-n!!!” shkroi Trump në internet.
