Presidenti amerikan Donald Trump është informuar për një gamë të gjerë opsionesh të fshehta dhe ushtarake për një ndërhyrje të mundshme ndaj Iranit, kanë bërë të ditur dy zyrtarë të Departamentit të Mbrojtjes për CBS News, partnerin amerikan të BBC-së.

Sipas burimeve, sulmet me raketa me rreze të gjatë veprimi mbeten një nga opsionet kryesore, ndërsa Pentagonit i janë paraqitur edhe skenarë që përfshijnë operacione kibernetike dhe fushata psikologjike për të dobësuar strukturat e komandës dhe komunikimit iranian. Çdo përgjigje ushtarake amerikane pritet të mbështetet kryesisht në fuqinë ajrore.

Tensionet janë përshkallëzuar më tej pasi Trump njoftoi vendosjen e një tarife prej 25% për mallrat nga vendet që kanë marrëdhënie tregtare me Iranin. “Ky urdhër është përfundimtar,” shkroi ai në platformën Truth Social, pa dhënë detaje shtesë mbi zbatimin e masës.

Ndërkohë, situata e brendshme në Iran mbetet e tensionuar. Grupet e të drejtave të njeriut raportojnë se më shumë se 600 protestues janë vrarë gjatë tre javëve të protestave antiqeveritare. Autoritetet iraniane kanë intensifikuar shtypjen e demonstratave, ndërsa media shtetërore raportoi për tubime masive pro-qeveritare të organizuara nga shteti.

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, akuzoi Shtetet e Bashkuara për “mashtrim” dhe mbështetje të “mercenarëve tradhtarë”, duke deklaruar se kombi iranian është i përgatitur dhe i vetëdijshëm për armiqtë e tij.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian ka deklaruar se Teherani është i hapur për bisedime me Uashingtonin, por mbetet “i përgatitur për luftë”. Sipas Shtëpisë së Bardhë, kontakte private mes zyrtarëve iranianë dhe administratës Trump kanë ndodhur, ndonëse qëndrimet publike të Teheranit mbeten të ashpra.

Ekipi i sigurisë kombëtare i presidentit amerikan pritet të mblidhet në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar opsionet ndaj Iranit, ndërsa Trump ka paralajmëruar se SHBA-të “nuk kanë frikë të përdorin forcën ushtarake” nëse situata përkeqësohet.

Irani, tashmë nën sanksione të rënda, po përballet me rënie të monedhës dhe inflacion të lartë, që ka rritur çmimet e ushqimeve deri në 70%. Kina mbetet partneri më i madh tregtar i Teheranit, e ndjekur nga Iraku, Emiratet e Bashkuara Arabe, Turqia dhe India. Analistët paralajmërojnë se masat e reja amerikane mund të thellojnë krizën ekonomike dhe politike në vend.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb