Forcat e armatosura ruse kryen valën më intensive të sulmeve me raketa dhe dronë ndaj Ukrainës që nga fillimi i këtij viti, duke goditur në orët e para të së martës (13 janar) dy qytetet më të mëdha të vendit, Kievin dhe Kharkivin, raportuan zyrtarët dhe mediat ukrainase.

Sipas autoriteteve, sulmet përfshinë rreth 20 raketa balistike të lëshuara brenda afro një ore, në atë që u përshkrua si një sulm i shkurtër, por jashtëzakonisht intensiv. Gazetarët e Reuters raportuan se dëgjuan shpërthime të fuqishme në kryeqytet, ndërsa kreu i administratës ushtarake të Kievit, Timur Tkachenko, deklaroi se deri tani nuk ka raportime për viktima në qytet.

Ndërkohë, situata më e rëndë u shënua në Kharkiv, qytet në verilindje të Ukrainës, rreth 30 kilometra nga kufiri me Rusinë dhe një objektiv i shpeshtë i sulmeve ruse. Guvernatori rajonal, Oleh Sinekhubov, njoftoi se katër persona humbën jetën në periferi të qytetit, ndërsa gjashtë të tjerë u plagosën.

Autoritetet ukrainase po vlerësojnë dëmet në infrastrukturë dhe kanë paralajmëruar se mund të ketë përditësime të tjera lidhur me numrin e viktimave dhe shtrirjen e sulmeve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb