Rezultat surprizues në Kupën e Francës. PSG eliminohet që në 1/16-at e finales, duke u mposhtur 1-0 në shtëpi nga Paris FC në Derbin e Kryeqytetit. Vetëm 8 ditë nga përballja mes tyre në kampionat, aty ku kampionët parizienë triumfuan në derbi 2-1, kësaj radhe ishte skuadra e Paris FC që I kthen reston gjigandit francez duke i nxjerrë jashtë kupës. Në “Parc des Princes” festa është për miqtë, që shkruajnë historinë falë Jonathan Ikoné.
Ish-lojtari i Fiorentinës dhe Comos, i futur në lojë në minutën e 40-të pas dëmtimit të Goryt, rezultoi vendimtar. Në minutën e 74-t, pas një kundërsulmi të shpejtë, Ikoné u fut në zonë dhe mposhti portierin Chevalier, duke shënuar golin që vulosi eliminimin e kampionëve në fuqi.
PSG, e drejtuar nga Luis Enrique, e nisi ndeshjen me rotacion të theksuar, duke lënë jashtë disa nga emrat kryesorë. Edhe pas aktivizimit të yjeve si Dembélé, Doué dhe Nuno Mendes në pjesën e dytë, vendasit nuk arritën të përmbysin rezultatin. Përpjekjet finale ishin të pafrytshme për parizienët.
Paris FC feston fitoren e parë historike në derbin e Parisit dhe kalimin në turin pasues, ndërsa PSG i jep lamtumirën shumë herët Kupës së Francës, duke dalë jashtë garës për një tjetër trofe sezonal.
