Deputeti i PD-së, Saimir Korreshi ka komentuar vendimin e kryeparlamentarit Niko Peleshi për të mbledhur më 28 janar mbledhjen e Këshillit të Imuniteteve për çështjen Balluku, për të cilën SPAK kërkon arrestimin. Demokrati tha për programin e drekës në News24 se maxhoranca po bën lojë kungulleshkash për çështjen e imunitetit të Ballukut, për të fituar më shumë kohë.
Ai tha se Peleshi ka shkelur hapur detyrën, duke mos mbledhur Këshillin, kur opozita ka bërë kërkesat e saj pasi ka gjysmën e anëtarëve.
“Unë e mendoj një veprim prej frikacaku. Këta na kujtojnë se të gjithë deputetët e këtij Parlmaenti janë punëtorë të Nikos. Niko është drejtori i ndërmarrjes që na ka marrë në punë e na jep rrogën dhe ne s’duhet të bëjmë asgjë, si të gdhihet Niko. E kanë kthyer Kuvendin në një lojë kungulleshkash. Ne provuam disa herë rrugën institucionale. Me kërkesë të gjysmës së Këshillit, duhet të mblidhet mbledhja. Dyerve të Kuvendit Niko i kishte vënë drynin dhe siç duket ishte duke ngrënë ende gjelin. Ata po luajnë me drejtësinë. SPAK kërkoi që të shqyrtohej si çështje për 3 ditë. SPAK kishte ndryshuara masën e sigurimit për Ballukun.
Nuk ka ndodhur ndonjëherë, edhe pse avokati i palës, së zonjës Balluku, kërkoi 3 javë, afati kaloi. Afati mbaroi më 6 janar. Nuk kishte më kuptim që opozita të bënte prapë kërkesë, pasi administrata nuk i përgjigjej. Ne jemi detyruar që të drejtohemi për të bërë kallëzim penal ndaj Peleshit. Pasi kur kërkon gjysma mbledhjen e Këshillit, duhet të realizohet. Ne nuk mundet të mos t’i shkojmë gjerat deri në fund. Duhet të ndjekim rregullat ligjore, ndaj bëmë kallëzim. Zoti Niko, edhe pse duhej të ishte pushim, pasi do të priste vendimin e Kushtetueses, që s’ka lidhje me atë se çka kërkohej, ia futi gjumit dhe e mori me ‘lente-lente’. Ai është koshient që është në kundërshtim flagrant me ligjin, duke trajtuar administratën sikur është e tija personale.”, tha ai.
