Në Kategorinë e Parë janë luajtur 17 javë, ndërsa kampionati do të rikthehet në fundjavë me ndeshjet e javës së 18-të.
Sezoni aktual po rezulton një nga më interesantët, pasi rivaliteti për kreun e renditjes është shumë i fortë dhe çdo javë ndeshjet janë të luftuara.
Skënderbeu kryeson renditjen me 40 pikë, duke treguar vazhdimësi në paraqitje gjatë gjithë kampionatit. Në vendin e dytë renditet Laçi me 33 pikë, ndërsa Pogradeci mban vendin e tretë me 32 pikë.
Pas 17 javësh janë shënuar në total 230 gola, me një mesatare prej 2.25 gola për ndeshje, një tregues i qartë i një kampionati të hapur dhe me lojë sulmuese.
Gjatë këtij sezoni kanë shënuar 97 futbollistë të ndryshëm, ndërsa janë regjistruar edhe 4 autogola.
Skënderbeu është skuadra me më shumë gola të shënuar deri tani, plot 32. Pas tij renditen Laçi me 26 gola dhe Pogradeci me 23 gola.
Në aspektin mbrojtës, Laçi është ekipi që ka pësuar më pak, vetëm 10 gola në 17 javë. Pogradeci i dyti me 13 gola të pësuar, ndërsa Skënderbeu i treti me 16 gola.
Edhe gara për golashënuesin më të mirë mbetet e fortë.
Saleh Nasr i Skënderbeut dhe Taulant Marku i Korabit kryesojnë listën me nga 9 gola secili, ndërsa Olsi Myrta i Laçit ka shënuar 8 gola.
Me këto statistika dhe me një garë të hapur në krye të renditjes, Kategoria e Parë vazhdon të ofrojë ndeshje interesante dhe rivalitet në çdo javë, duke mbajtur të lartë interesin e tifozëve të futbollit shqiptar.
