Mosakordimi i Çmimit Kombëtar për Letërsinë për Fëmijë si dhe Çmimit Kombëtar për Poezinë dhe Tregimin këtë vit nuk është një fakt i thjeshtë apo një boshllëk në protokollin e një ceremonie zyrtare. Është një akt me peshë simbolike, kulturore dhe edukative, që ngre pyetje serioze mbi orientimin e politikave kulturore dhe mbi hierarkinë e vlerave që i japet letërsisë shqipe.

Si përfaqësuese e një shtëpie botuese me gati 20 vite përvojë në letërsinë për fëmijë sidomos ,ky vendim më duket jo vetëm i pakuptueshëm, por edhe shqetësues. Letërsia për fëmijë nuk është zhanër periferik, as një degë e vogël e letërsisë “së madhe”. Përkundrazi, ajo është themeli mbi të cilin ndërtohet marrëdhënia e parë e individit me librin, me gjuhën, me imagjinatën dhe me vlerat humane.

Një shoqëri që nuk vlerëson letërsinë për fëmijë, rrezikon të presë rrënjët e leximit që në fillesë. Çmimi kombëtar për këtë zhanër nuk është vetëm shpërblim për autorët, ilustratorët apo botuesit; ai është një deklaratë publike se kultura e leximit fillon herët dhe se investimi te fëmijët është investim në të ardhmen e vendit.

Mosakordimi i këtij çmimi dërgon një mesazh të gabuar: se puna shumëvjeçare, përkushtimi profesional dhe përgjegjësia e madhe që mbart letërsia për fëmijë nuk mjaftojnë për t’u konsideruar të denja për vlerësim kombëtar. Kjo është një formë e heshtur nënvlerësimi që, në plan afatgjatë, dekurajon autorët e rinj dhe dobëson tregun cilësor të librit për fëmijë.

Po aq shqetësues është edhe mosakordimi i Çmimit Kombëtar për Poezinë. Poezia është zëri më i përqendruar i gjuhës, forma më e lartë e shprehjes artistike dhe ndërgjegjja e një kulture. Shpesh thuhet se poezia lexohet pak, se ka audiencë të kufizuar dhe ndikim më të ngushtë. Por a është kjo arsye për ta lënë pa vlerësim institucional? A duhet të ndëshkohet poezia dy herë: njëherë nga mungesa e leximit masiv dhe herën e dytë nga mungesa e vlerësimit me çmim?

Nëse poezia nuk lexohet mjaftueshëm, atëherë detyra e institucioneve nuk është të tërhiqen, por të mbështesin, të promovojnë dhe të krijojnë ura mes poezisë dhe lexuesit. Çmimi kombëtar është një nga këto ura. Heqja e tij e thellon hendekun dhe e shtyn poezinë edhe më tej drejt margjinës.

Në këtë kontekst, vlen të theksohet edhe një fakt i rëndësishëm: letërsia shqipe, historikisht, është një letërsi tregimtare. Tregimi i shkurtër ka qenë dhe mbetet një nga format më të suksesshme të shprehjes sonë letrare. Sot, më shumë se kurrë, lexuesi bashkëkohor po orientohet drejt formave të shkurtra: tregimit, poezisë së përmbledhur, tekstit të ngjeshur, për arsye kohe, ritmi jete dhe mënyre të re leximi.

Në këtë kuptim, mosvlerësimi i poezisë dhe i formave të shkurtra narrative bie ndesh me vetë realitetin e leximit sot. Lexuesi nuk po largohet nga letërsia; ai po kërkon një letërsi të shkruar shkurt, por me thellësi, me peshë dhe me vlerë estetike. Pikërisht këtu poezia dhe tregimi kanë një rol thelbësor.

Mosakordimi i këtyre çmimeve duhet të shihet si një alarm kombëtar dhe si një thirrje për reflektim serioz.

Sepse aty ku fillon letërsia për fëmijë, vazhdon tregimi dhe ngrihet poezia, aty formohet lexuesi, qytetari dhe e ardhmja e një kombi. Dhe këtë, asnjë mosakordim çmimi nuk mund ta zhbëjë, por as nuk duhet ta injorojë.

Çmimi nuk është përcaktues për suksesin e një libri. Suksesi i tij varet nga lexuesi, nga koha që e pranon ose e refuzon, nga ndikimi që arrin të ketë në mendje dhe në shpirt, dhe nga aftësia për të qëndruar gjallë përtej momentit të botimit. Historia e letërsisë e ka dëshmuar se shumë vepra themelore janë njohur dhe vlerësuar vonë, shpesh pa asnjë çmim në kohën e tyre.

Por kur çmimet jepen, ato kanë një funksion tjetër thelbësor: nuk shpallin fitues, por shpallin vlera. Ato tregojnë se çfarë konsiderohet e rëndësishme për një kulturë dhe çfarë vendoset në qendër të vëmendjes institucionale. Pikërisht për këtë arsye, vlerësimi i letërsisë për fëmijë, i poezisë dhe i tregimit të shkurtër ka një domethënie që shkon përtej autorëve individualë.

Duke i vlerësuar këto zhanre, ne nuk shpërblejmë vetëm libra të veçantë, por riafirmojmë se ato kanë qenë dhe do të mbeten gurë themeli të letërsisë shqipe. Letërsia për fëmijë sepse aty lind lexuesi; poezia sepse aty përqendrohet gjuha dhe ndjeshmëria; tregimi i shkurtër sepse aty shfaqet mjeshtëria e rrëfimit në formën e saj më të pastër. Edhe kur nuk janë në qendër të tregut, këto zhanre janë në qendër të kulturës.

Në këtë kuptim, mosakordimi i çmimeve nuk e zbeh vlerën e tyre reale, por rrezikon të errësojë mesazhin kulturor që i përcillet shoqërisë. Sepse çmimet nuk janë matës suksesi, por shenja orientuese. Dhe një kulturë që heq dorë nga këto shenja, rrezikon të humbasë drejtimin.

Megjithatë, pavarësisht këtij zhgënjimi institucional, një gjë mbetet e palëkundur: shkrimtarët dhe botuesit e letërsisë do të vazhdojnë të krijojnë. Sepse letërsia nuk është vetëm çmim. Letërsia është pasion, është mision dhe është përgjegjësi. Ata që shkruajnë nuk e bëjnë këtë për lavdi të shpejtë, por për të lënë gjurmë të thella dhe të qëndrueshme në mendjet dhe zemrat e lexuesve .Dhe sa të kenë frymë, do të vazhdojnë të përçojnë letërsinë e bukur shqipe.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb