Polemikat e përsëritura të kryeministrit Edi Rama ndaj gazetarëve kanë rikthyer në vëmendje shqetësimet mbi mënyrën e komunikimit mes pushtetit ekzekutiv dhe medias.
Shoqata e Gazetarëve Shqiptarë (AGSH) reagoi duke e cilësuar si problem serioz gjuhën e përdorur dhe standardin e komunikimit institucional të kreut të qeverisë ndaj gazetarëve Blendi Fevziu dhe Klodiana Lala.
AGSH thekson gjithashtu se përplasjet verbale dhe etiketimet ndaj gazetarëve dëmtojnë klimën e dialogut publik dhe cenojnë rolin e medias në një shoqëri demokratike.
Reagimi
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ndjek me shqetësim debatin publik të nxitur nga reagimet e gazetarëve Blendi Fevziu dhe Klodiana Lala dhe replikat e kryeministrit të vendit Z.Edi Rama në lidhje me situatën e përmbytjeve në vend. Polemikat e përsëritura mes kryeministrit Edi Rama dhe gazetarëve kanë rikthyer në vëmendje shqetësimet mbi mënyrën e komunikimit mes pushtetit ekzekutiv dhe medias. Shoqata e Gazetarëve Shqiptarë (AGSH) reagoi duke e cilësuar si problem serioz gjuhën e përdorur dhe standardin e komunikimit institucional, duke theksuar se përplasjet verbale dhe etiketimet ndaj gazetarëve dëmtojnë klimën e dialogut publik dhe cenojnë rolin e medias në një shoqëri demokratike.
Përtej polemikës mbi përmbajtjen, debati ngre një problem serioz mbi gjuhën dhe standardin e komunikimit institucional.
AGSH thekson se kritika, sado e fortë apo e drejtpërdrejtë të jetë, është pjesë thelbësore e lirisë së shprehjes dhe rolit të medias në një shoqëri demokratike. Gazetarët kanë të drejtën dhe detyrimin të ngrenë pikëpyetje mbi politikat publike, përfshirë menaxhimin e mbetjeve, investimet publike dhe funksionimin real të projekteve të kushtueshme si inceneratorët.
Në këtë kontekst, përgjigjja e Kryeministrit, e shoqëruar me gjuhë përçmuese, etiketime dhe ironizim personal, është e papranueshme për një funksionar të nivelit më të lartë shtetëror. Një gjuhë e tillë nuk kontribuon në sqarimin e opinionit publik, por ushqen polarizimin, banalizon debatin dhe krijon një precedent të rrezikshëm presioni verbal ndaj gazetarëve.
Çdo debat publik duhet të zhvillohet mbi argumente, të dhëna dhe transparencë, jo mbi sulme personale.
Në vend të gjuhës përçmuese, institucionet duhet të ofrojnë përgjigje faktike mbi problemet e ngritura.
AGSH i bën thirrje Kryeministrit dhe të gjithë zyrtarëve publikë që të respektojnë median, të ruajnë etikën e komunikimit dhe të mos e shndërrojnë pushtetin në instrument presioni verbal.
Demokracia nuk dëmtohet nga pyetjet e gazetarëve, por nga arroganca ndaj tyre.
Gjithashtu gjejmë rastin të ftojmë zyrtarët e çdo niveli të jenë transparentë me mediat në situata të vështira për vendin, duke organizuar konferenca për shtyp në mënyrë që gazetarët të kenë mundësinë të bëjnë pyetje shteruese ndaj këtyre problematikave.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë do të vijojë të mbrojë lirinë e shprehjes, dinjitetin e profesionit dhe standardet etike të gazetarisë.
