Në kulmin e përplasjeve mes SPAK dhe politikës në vend, laku i drejtësisë po shtrëngohet rreth zv/kryeministres Belinda Balluku. Gjykata Kushtetuese pritet të japë më 22 janar vendimin për pezullimin ose jo nga detyra të Ballukut, ndërsa në Kuvend mbetet në pritje shqyrtimi i kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit, me qëllim arrestimin e saj.
Një ditë më parë, e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA në Tiranë, Nancy Van Horn, dha një mesazh të fortë publik mbi rëndësinë e zbatimit të ligjit në Shqipëri.
“Gjykata Kushtetuese luan një rol të rëndësishëm në garantimin e drejtësisë për qytetarët shqiptarë, duke i mbajtur përgjegjës ata që shkelin ligjet e saj”, thuhet në deklaratën e SHBA-së, pas takimit të Van Horn me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji.
Paralelisht me procesin në Gjykatën Kushtetuese, dosja e Belinda Ballukut vijon të mbetet në lupën e hetimit të SPAK. Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se afera e tunelit të Llogarasë, një nga investimet më të kushtueshme publike të dekadës, pritet të zbardhet në çdo dimension.
Tuneli i Llogarasë u prezantua si një projekt me vlerë rreth 190 milionë euro, por gjatë rrugës kostos iu shtuan edhe 50 milionë euro të tjera, “me një të rënë të lapsit”. Pyetja thelbësore që ngrihet është: Ku përfunduan këto 50 milionë euro shtesë dhe kush përfitoi realisht nga to? Dhe, më konkretisht, kush përfitoi nga rimbursimi i TVSH-së për këtë projekt gjigant?
Sipas hetimeve, përgjegjësia penale për aferën 190 milionë euro nuk ndalet vetëm te Ministria e Infrastrukturës dhe ARRSH. Në fokus të SPAK është futur edhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila dyshohet se ka lejuar kompaninë ndërtuese të operojë për afro tre vite pa dokumentacion të vlefshëm ligjor dhe, njëkohësisht, ka lejuar kreditimin e TVSH-së për këto kompani, në shkelje flagrante të ligjit.
Përgjegjës direkt për këto shkelje konsiderohen ish-drejtori i Tatimeve, Ceno Klosi, si dhe pasuesja e tij, Elidjana Çelaj. SPAK ka nisur tashmë procedurat e para verifikuese, të cilat mund të çojnë në përgjegjësi penale për gjithë zinxhirin drejtues që ka administruar Tatimet gjatë periudhës së ndërtimit të tunelit.
Sipas ligjit, kreditimi i TVSH-së lejohet vetëm pasi të jetë marrë leja e ndërtimit dhe objekti të jetë i regjistruar si projekt ndërtimi pranë organit tatimor. Në rastin e tunelit të Llogarasë, leja e ndërtimit është bërë e vlefshme vetëm në maj të vitit 2025. Në atë moment, tuneli kishte përfunduar dhe ishte në prag të përurimit, çka e bën skandalin edhe më të rëndë.
Kjo situatë ngre një tjetër pyetje madhore: A do të hetojë SPAK jo vetëm zyrtarët shtetërorë, por edhe kompanitë private që kanë përfituar në mënyrë të dyshimtë rimbursime TVSH-je?
A do të hetohet korrupsioni i kompanive që kanë marrë miliona euro TVSH, përfshirë ato të përfshira në projektin e Llogarasë dhe projekte të tjera të ngjashme?
Abuzimi me tunelin 190 milionë euro nuk qëndron vetëm te 50 milionë eurot e shtuara artificialisht, por edhe te kreditimi i paligjshëm i TVSH-së, i cili ka thelluar ndjeshëm gropën në buxhetin e shtetit. Një skemë që, sipas hetimeve paraprake, nuk mund të funksiononte pa bashkëpunimin e drejtpërdrejtë mes politikës, administratës tatimore dhe interesave private.
Tani, pyetja që mbetet është nëse SPAK do të shkojë deri në fund, apo nëse tuneli i Llogarasë do të mbetet një tjetër simbol i pandëshkueshmërisë në korrupsionin e madh shtetëror.
