Historia e 3 fëmijëve që u gjetën të vetëm dhe të uritur në një banesë në zonën e plazhit në Durrës, ndërkohë që nëna ishte në punë, është rikthyer sot në emisionin ‘Me zemër të hapur’ në News24, të moderatores dhe autores Evis Ahmeti. Nëna e tre fëmijëve të mitur, ka rrëfyer detaje tronditëse nga jeta e saj në studion e emisionit. E reja u denoncua publikisht nga ish-vjehrra e saj, me të cilën pati edhe një përballje live në studio pak ditë më parë.
Ajo e kundërshtoi denoncimin, duke akuzuar ish-vjehrrën se e gjithë ngjarja ishte e inskenuar prej saj. Nga ana tjetër, ish-vjehrra u shpreh se fëmijët, gjatë kohës që kanë qëndruar në ambientet e saj, nuk kanë qenë kurrë në atë gjendje. Ndërkohë, sot nëna e 3 fëmijëve tha se gjendja e fëmijëve tashmë ishte e mirë.
Nëna e tre fëmijëve theksoi se nuk do të heqë dorë kurrë nga fëmijët e saj. Sot, ajo theu sërish heshtjen dhe foli për rrugëtimin dhe vështirësitë e saj, ndërsa sqaroi se pse ishte aq pistë shtëpia.
“Fëmijët janë mirë, jemi ende në spital, por besoj se do të dalim pa dy ditësh. Nuk kam folur me ndonjë psikolog. Më kanë ardhur familjarët. Më erdhi babai. Të hënën vjen dhe mami. Nuk është se jemi përballur më herët me të tilla gjëra. Nuk kam qenë në gjykatë. Thjesht mu tha se çfarë vendimi mu dha. Erdhi dhe babai i fëmijëve, i takoi dhe iku. Unë fare… s’dua ta takoj. Unë do e ngre një padi dhe do të bëj urdhër mbrojtje. Kam pasur dhe më parë urdhër mbrojtje. Kam pasur fjalë, nga ish-burri, ish-vjehrra. Por kjo që po kaloj këtë gjë, është shumë e rëndë, për mua dhe për familjen e tyre. Fëmijëve të mi nuk u ka munguar asgjë. Ika andej dhe po bëja dokumentet e fëmijëve.
Por më pas nuk ikja dot se i kisha mbushur 3 muaj dhe s’më lejuan. Gjatë kohës që fëmijët e mi ishin atje, babai i tyre i mësonte; shani mamin. Unë siç thash, kohët e fundit kam punuar dhe çdo darkë isha te fëmijët e mi. Kur u ktheva nga Italia punoja në një lokal dhe merrja dhe bakshishe, dhe kur kam dalë kam punësuar një grua aty në lagje. Si kam lënë kurrë fëmijët e mi. Këtë herë kam festuar vitin e ri me fëmijët. Nuk e kam pasur kurrë në atë gjendje fëmijët. Normale ka qenë rrëmuje se kam punuar 16 orë punë dhe kishim 10 ditë pa ujë dhe rrobat ishin pa larë, por nuk ishin të përhapura kudo nëpër shtëpi. I ka hapur dikush. Kam gjetur gjëra që si përkisnin shtëpisë time. Unë disa prej atyre ushqimeve nuk i kam konsumuar. Me ish-burrin komunikoja për fëmijët.”, tha ajo.
