Banorët e fshatrave Taç i Sipërm dhe Prodan në Ersekë kanë protestuar këtë të enjte kundër zaptimit të kullotave që ata pretendojnë se u përkasin dy fshatrave.
Sipas banorëve, sipërfaqe të konsiderueshme kullotash janë përvetësuar nga një person i vetëm, i cili ka marrë në zotërim mbi 400 hektarë tokë.
Ata shprehen se këto sipërfaqe pritet të përdoren për vendosjen e paneleve fotovoltaike, ndërsa theksojnë se kjo situatë i dëmton rëndë, pasi burimi i vetëm i të ardhurave për familjet e tyre është blegtoria.
Rreth 100 blegtorë nga të dy fshatrat preken drejtpërdrejt nga ky zaptim, duke rrezikuar aktivitetin blegtoral.
Banorët i bëjnë thirrje organeve ligjzbatuese dhe institucioneve përkatëse që të ndërhyjnë dhe të rishikojnë dokumentacionin e pronësisë. Ata pretendojnë se ka mbivendosje të hartave të truallit, çka ka sjellë përfshirjen e padrejtë të kullotave që përdoren prej vitesh për mbajtjen e bagëtive.
Protestuesit kërkojnë zgjidhje të menjëhershme dhe rikthimin e kullotave në përdorim të tyre duke paralajmëruar se do të vijojnë protestat nëse nuk do të ketë reagim nga institucionet përgjegjëse.
