Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie” për tre autorët e dyshuar të vrasjes së 26-vjeçarit Martin Çeço.
Raportohet se Valter Mollaj, kushëriri i tij Edlir Mollaj dhe çobani Bleti Angjo janë liruar nga ambientet e paraburgimit, pasi Apeli ka konstatuar humbjen e fuqisë së masës së arrestit të caktuar më 20 qershor 2022, për shkak të tejkalimit të afatit maksimal të qëndrimit në paraburgim.
Megjithëse masa e sigurisë është zbutur, hetimet për vrasjen e Martin Çeços vijojnë dhe tre të dyshuarit mbeten nën masën e “arrestit shtëpiak”, në pritje të përfundimit të procedurave gjyqësore.
Ngjarja e rëndë ndodhi në qershor të vitit 2022, kur 26-vjeçari Martin Çeço u vra dhe më pas trupi i tij u hodh në rezervuarin e fshatit Kolanec, në Maliq. Tre të dyshuarit u arrestuan pas dëshmisë së Tina Pajollarit, e cila ndodhet ende në burg në lidhje me këtë çështje.
Pajollari u arrestua më vonë, pasi dyshohet se ka qenë e pranishme në momentin e vrasjes dhe ka dhënë informacione kyçe që çuan në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve të dyshuar.
