Babai i 26-vjeçarit Martin Çeço ka reaguar me tone të forta pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, e cila la në “arrest shtëpie” tre të dyshuarit për vrasjen e të birit. I tronditur dhe i revoltuar, ai deklaroi se ndihet i braktisur nga drejtësia dhe se familja e tij po përballet me një dhimbje të pashërueshme që prej qershorit 2022.

Në një deklaratë për mediat, ai u shpreh se djali i tij “nuk kishte asnjë faj” dhe se krimi, sipas tij, u krye nga persona që tashmë janë identifikuar dhe kanë dhënë edhe deklarime për ngjarjen, por që sot po përfitojnë nga lehtësimi i masave të sigurisë. “Për mua arrest shtëpie është si lirim,” tha ai, duke theksuar se pas më shumë se tre vitesh pritje nuk sheh më asnjë shenjë drejtësie.

Ai vijoi me tone të ashpra, madje duke kërcënar se do t’i drejtohet aktit të vetgjyqësisë.

Babai i viktimës hodhi akuza të rënda ndaj të dyshuarve, duke pretenduar se ata ishin të përfshirë në veprimtari kriminale në zonën e Maliqit dhe se Martin Çeço ishte kërcënuar përpara se të vritej. Sipas tij, i biri nuk kishte lidhje me vajzën që u përfshi në hetime dhe nuk kishte asnjë arsye që të bëhej objekt i një krimi kaq të rëndë.

Ai kujtoi gjithashtu se çështja ishte cilësuar si vepër penale që dënohet rëndë, por tani, sipas tij, vendimet e fundit po e zbehin përgjegjësinë penale të të dyshuarve. “Këtë krim e nxorën si të dënueshëm me burgim të përjetshëm, ndërsa sot i shohim jashtë qelive,” u shpreh ai.

Deklaratat e tij pasqyrojnë gjendjen e rëndë emocionale të familjes Çeço dhe zhgënjimin e thellë ndaj sistemit të drejtësisë, ndërsa procesi për vrasjen e Martin Çeços vijon ende në gjykatë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb