Gazetarja Klodiana Lala ka komentuar në studion e News24 arratisjen e Altin Ndocit nga spitali rajonal i Durrësit para dy ditësh, duke vënë në dukje probleme të mëdha në menaxhimin e të paraburgosurve me rrezikshmëri të lartë.
Sipas Lalës, personat që paraqesin rrezikshmëri të lartë shoqërore nuk duhet të vendosen në paraburgime të zakonshme dhe duhet të shoqërohen me masa sigurie më të forta. “Kur persona të tillë lëvizin, nuk mund të shoqërohen vetëm me një furgon dhe disa punonjës të policisë së burgjeve. Duhet të ketë nga 2 deri në 3 policë të specializuar për shoqërimin e tyre,” tha ajo.
Në rastin e Altin Ndocit, sipas gazetares, në shoqërim ishin dy të paraburgosur dhe gjashtë punonjës, ndërkohë që procedura e duhur kërkonte forcë elitare të burgjeve për kontroll dhe siguri të shtuar. Lala shtoi se duhet të shqyrtohet edhe përgjegjësia e funksionarëve që nuk njoftuan palët e duhura për lëvizjen e të paraburgosurit.
Gazetarja vuri në dukje se Spitali i Durrësit ka dy pavijone për të burgosurit dhe në një institucion normal, me një polici të prirur për rend dhe siguri, një patrullë duhet të qëndrojë aty gjatë gjithë kohës për të parandaluar arratisje. Ligji parashikon gjithashtu që policia e shtetit duhet të ketë hartën e rrugëve problematike dhe të marrë masa shtesë kur të burgosurit lëvizin, duke e konsideruar spitalin një institucion të rrezikuar kur ka lëvizje të të paraburgosurve.
