Gazetarja Klodiana Lala ka komentuar në studion e News24 arratisjen e Altin Ndocit nga spitali rajonal i Durrësit, duke ngritur dyshime serioze se ngjarja nuk ka qenë e rastësishme, por e planifikuar prej kohësh.
Sipas saj, Ndoci e kishte menduar arratisjen që në momentin kur u vendos në paraburgimin e Durrësit, një strukturë ku, sipas Lalës, ai nuk duhej të ishte futur për shkak të rrezikshmërisë së lartë. “Mendoj se ka pasur bashkëpunëtorë jashtë që e kanë ndihmuar në lëvizjen e tij dhe kam dyshime edhe për bashkëpunëtorë ose informatorë brenda sistemit,” u shpreh ajo.
Gazetarja kritikoi ashpër mënyrën se si institucionet reaguan pas arratisjes, duke thënë se në një vend normal me polici funksionale do të ishin vënë në lëvizje menjëherë të gjitha kapacitetet e sigurisë.
Sipas saj, do të duhej të ishin nxjerrë në terren qentë e specializuar, të ngriheshin dronë dhe helikopterë për gjurmim ajror dhe të informohej komuniteti për personin e rrezikshëm që ishte në arrati.
