Ndërtimi i një kampusi të ri universitar në Durrës është pjesë e planeve të qeverisë për arsimin e lartë, krahas kampusit të Tiranës.
Kryeministri Edi Rama tha se hapësirat e reja do të shërbejnë edhe për akomodimin e studentëve të kryeqytetit, duke e lidhur këtë zgjidhje me uljen e kostove të strehimit dhe me funksionimin së shpejti të trenit Tiranë–Durrës, që pritet të lehtësojë lëvizjen e studentëve mes dy qyteteve.
“Kemi dy kampuse, kampusi i Tiranës, kemi hapur procesin për kompusin e Universitetit “Aleksandër Moisiu”. Ka një potencial për të krijuar infrastrukturë qëndrimi rezidence të studentëve, duke pasur parasysh trenin që dot ë jetë në funksion së shpejti, do të jetë e thjeshtë që studentë në Tiranë të kenë mundësi të strehohen në Durrës.
Do të ndërtojmë një kompleks studentor shumë të mirë në mënyrë që të ndihmojmë zgjidhjen e një problemi të madh që kanë studentët për shkak të çmimeve të larta që kanë qiratë në Tiranë.
Jemi të bindur që jemi në një moment të ri ndryshimi për arsimin e lartë, por ndryshe nga ndryshimi i parë tani kemi një bazë, eksperiencë. Ka shumë më tepër qartësi brenda universitetit”, theksoi ndër të tjera Rama.
