Vetting
Uzina Mekanike e Naftës në Kuçovë
Një nga industritë e cila po pret një ndërhyrje nga shteti është edhe industria e naftës. Sipas ish-zv. ministrit të Energjitikës para viteve 1990, Fatmir Shehu, gjatë asaj kohe, pra të regjimit komunist, është arritur prodhimi më i madh industrial gjatë 100 viteve të industrisë së naftës dhe gazit. Kjo industri ishte e përbërë nga 45 ndërmarrjet dhe mbi 30 mijë punonjës.
Pjesë e kërkimit të shpresës për një ndërhyrje qoftë nga ana e prurjes ekonomike, apo edhe ajo shëndetësore-mjedisore është edhe Uzina Mekanike e Naftës në Kuçovë.
E krijuar në vitin 1936, Uzina Mekanike e Naftës në Kuçovë u ndërtua si fillim nga kompanitë italiane, të cilat kishin interes të naftës shqiptare. Vendburimet e naftës në Kuçovë ishin një ndër më të rëndësishmet në rajon, duke bërë kështu që uzina të projektohej dhe të ndërtohej për të mbështetur nxjerren dhe përpunimin e këtij burimi të rëndësishëm. Gjatë kohë së regjimit komunist, kjo uzinë u zgjerua dhe u modernizua me teknologjitë më të fundit të asaj kohe, duke luajtur kështu një rol qendror në industrinë e naftës në Republikën e Shqipërisë.
“Kishim dy uzinat e mëdhaja, pale ofiçina që kishte në të gjitha ndërmarrjet, ofiçina të vogla. Dy uzinat mekanike që ishin ajo e Kuçovës dhe e Patosit, bënin si të thuash, sy njeriu. Ato mbanin gjithë industrinë e naftës, me remonde, me pjesë këmbimi, punonin gjithë ata punëtorë. Ishte e pajisur me gjithë atë infrastrukturën që duhej uzina, dy uzinat e naftës. Kështu që, të gjitha nevojat që kishim ne, pavarësisht se ne bashkëpunonim me uzina të tjera që kishte vendi shumë të fuqishme, si e Poliçanit p.sh., apo edhe të vendeve të tjera. Kurse tani fatkeqësisht pothuajse këto janë shkatërruar”, rrëfen ish-zv.ministri i Energjitikës, Fatmir Shehu.
Nga ana tjetër, sado prodhimtari të mirë mund të sillte si ndërmarrje energjetike, aq edhe shkaktonte probleme mjedisore dhe shëndetësore edhe në atë kohë për banorët.
“Këta që kishin shtëpitë këtu nuk ndenin rrobat as përjashta se binin ato cerkat e padjegura, të azotit, binin dhe ua bënin ato rrobat trokë. Sigurisht, ua thashë dhe një herë, në një rreze që ishte këtu, nga 200 metra këtu dhe kështu rrumbullak, ndotja e ambientit ishte më e keqe se e TEC-it”, rikujton me nostalgji ish-drejtori i TEC-it, Ilir Kumanaku. “Sidomos ajo zona veriore, se andej ishte e Kuçovës, nuk kishe mundësi të rrije dot. Çdo njeri i huaj, sa vinte mik te shtëpia, në qytet, ikte se e zinte koka. Nuk rrinte dot.”
Pas rrëzimit të diktaturës dhe tranzicionit drejt ekonomisë së lirë, Uzina Mekanike e Naftës përjetoi krizë. Në vitin 1999 ajo u ridimensionua dhe mori emrin “AlbPetrol”, duke trashëguar asetet dhe vendburimet e naftës së Shqipërisë. Sipas opencorporates.al, përgjegjësia pronësore i përket Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në të vërtetë Uzina Mekanike e Naftës, sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit është në statusin e pezullimit që prej vitit 2022. Ky pezullim ka ardhur si pasojë e mospagesës së gjobës dhe mosregjistrimit të të dhënave përkatëse për pronarët përfitues, pasi në ekstraktin, ortakët janë Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe është larg pronësinsë shqiptare. Që prej vitit 2010, pronësia është në duar të huaja.
Ndërkohë, sipas Programit Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit të vitit 2025, nxjerrja e naftës në Ballsh, Kuçovë, Patos Marinzë konsiderohet si një pikë e nxehtë mjedisore në Shqipëri. Vetëm në zonën e Ballshit shkarkohen rreth 20 mijë ton naftë në mjedisin përreth.
Raporti shton se në zonën e Patos Marinzës, ujërat sipërfaqësorë dhe nëntokësorë u ndotën seriozisht nga puset e naftës, gjatë nxjerrjes me pompa, nga tubacionet dhe impiantet e paratrajtimit, dhe në ajër u shkarkua gazi sulfurik dhe hidrokarbure të ndryshme. Ujërat e përdorur nga këto impiante, më vonë u shkarkuan në ujërat e lumit Gjanica, ku përveç përbërësve të naftës kanë edhe lëndë toksike.
“Të themi atë që është atëhere nuk i vihej shumë rëndësi ambientit. Nuk i vihej shumë rëndësi, as nuk e kishin në konsideratë fare, kupton, në këtë pikëpamje. Derdhej nafta, mundoheshin ta grumbullonin me kova, ta grumbullonin andej-këtej, nuk e kanë rëndësi. Por tani, pas ’90-s, si të thuash, u paraqitën kërkesa të tjera ndaj mjedisit. Të thuash atë që është, përparime janë bërë por nuk është në atë nivel që duhet të jetë, siç i ka bota. Unë kam qenë edhe në fushat naftëmbajtëse të vendeve të tjera kupton, dhe si të thuash, janë ambiente shumë të pastra, shumë të organizuara, shumë, si të thuash, të pandotura me një fjalë”, thotë më tej ish-zv.ministri Shehu. Ai shton se edhe këto kohë që ka kaluar në Kuçovë, përsëri vihet re që ambienti nuk është në nivelin e kërkesave bashëkohore.
Një dokument, shumë para, asnjë veprim
Në maj të vitit 2020, Këshilli i Ministrave miratoi “Dokumentin e Politikave Strategjike dhe Planin Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve 2020-2035”. Ky dokument sipas tyre, do të jetë dokumenti kryesor planifikues në fushën e menaxhimit të mbetjeve bashkiake, jo-bashkiake dhe të rrezikshme në Shqipëri, duke mbuluar periudhën kohore prej 15 vitesh. Parashikimet e tyre përfshijnë konceptin “zero mbetje”, në mënyrë që mbetjet të grumbullohen dhe të trajtohen si lëndë të para.
Po ashtu, supozohet se ky dokument do të ndihmojë Shqipërinë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, duke përmbushur çdo detyrim. Përgjegjësia e realizimit të këtyre detyrave iu vu institucioneve si Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe bashkive vendore.
Edhe pse iu kërkohej të raportonin në 10 shkurt të çdo viti pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, problematikat dhe një nivel i ulët i përmirësimit të situatës u shfaqën përsëri në raportin vjetor të monitorimit për periudhën 2020-2021. Ky raport është i fundit i paraqitur në lidhje me përditësimin e informacioneve për gjendjen mjedisore për dokumentin e menaxhimit të integruar të mbetjeve 2020-2035.
Deri në vitin 2020 mungonin të dhëna në lidhje me sasinë apo llojet e mbetjeve të rrezikshme. Po ashtu, theksohej mungesa e një infrastrukture të duhur, bazë për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme. Progresi në po të njëjtën çështje nuk dukej në horizont për vitin 2021.
Gjithsesi po në vitin 2021, qeveria shqiptare vendosi të firmoste një marrëveshje financimi midis saj dhe Bankës Gjermane KFW për një kredi të butë prej 50 milionë eurosh për ndërtimin e infrastrukturës së menaxhimit të mbetjeve. Kësaj shume iu shtua edhe një grant prej 11.9 milionë eurosh. Pjesë e këtyre financimeve do të ishte po ashtu pastrimi i ndërmarrjeve nga mbetjet e rrezikshme.
Megjithatë, Raporti i Gjendjes se Mjedisit i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit i vitit 2023 theksoi se sistemi aktual shqiptar i menaxhimit të mbetjeve nuk mjafton, është joefikas dhe nuk ka as kapacitete financiare e as kapacitete teknike.
Në po të njëjtin dokument strategjik përmendet një institucion, i ndërvarur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Bëhet fjalë për Qendrën e Grumbullimit dhe Trajtimit të Kimikateve të Rrezikshme në Elbasan. Ky nëninstitucion parashikohet të ketë detyrën e reduktimit të rrezikut të ndotjes mjedisore nga mbetjet e ish-ndërmarrjeve.
“Lindur” nga një vendim i Këshillit të Ministrave në vitin 2015, e vendosur në fshatin Balëz, kjo qendër ka godina gjysëm harkore, të cilat ende ruajnë hijen e pamjes industriale të një shekulli më parë.
Ndërkohë, askush nuk jep një përgjigje se çfarë do të ndodhi me sasitë e mbetjeve me kimikate të gjendura në sipërfaqet e këtyre ish-ndërmarrjeve, të cilat kanë marrë jetë njerëzisht dhe rrezikojnë ende mijëra jetë të atyre që jetojnë pranë këtyre ndërmarrjeve.
Institucionet ende nuk përditësojnë informacionet e nevojshme, për të ditur më shumë rreth gjendjes aktuale mjedisore dhe rreziqeve që mund t’i kanosen banorëve, paçka se mbi 60 milionë euro financim janë nënshkruar me vendim të qeverisë shqiptare.
“Edhe është gjynah që ky vendburim kaq me vlerë, t’u jepet të tjerëve, t’u lihet në dorë të tjerëve, kur specialistët tanë këtë vendburim e mbarështuan kaq mirë, sa s’ka ku të vejë më dhe i dinin të gjitha gjërat e nevojshme që i duheshin këtij burimi. Prandaj unë e kam thënë edhe herë të tjera që kjo pasuri nuk duhet të ishte në duart e të tjerëve”, rrëfen ish-zv.ministri Fatmir Shehu. “Prandaj duhen marrë masa urgjente, që kjo pasuri t’i kthehet popullit siç ka qenë, sepse ne i kemi mundësitë”.
