Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka folur në studion e emisionit “Kjo Javë” për situatën brenda PD-së, në një kohë kur ai ka nisur një lëvizje me demokratët në të gjithë Shqipërinë, ndërsa lidershipi aktual e ka akuzuar dhe ka deklaruar se është vetëpërjashtuar nga partia.

Salianji theksoi se elementi më i rëndësishëm i opozitës është epërsia morale ndaj qeverisë, duke e cilësuar mazhorancën si të cenueshme për shkak të korrupsionit dhe përgjegjësisë për vendimet që merr. Sipas tij, opozita në çdo vend duhet të jetë më e pastër dhe të reagojë në mbrojtje të interesit publik.

Ai deklaroi se lëvizja që ka nisur nuk është personale, por pasqyron shqetësimet e shumë demokratëve që kërkojnë ndryshim dhe demokratizim të partive politike. “Nuk mund të thuash për një problem të ngritur në parti ‘ky është vetëpërjashtuar’. Kjo është shmangie e problemit, jo zgjidhje,” u shpreh Salianji.

Salianji kritikoi gjithashtu qëndrimet kontradiktore të lidershipit të PD-së për mënyrën se si mund të rrëzohet qeveria Rama, duke theksuar se herë flitet për mbështetje nga SHBA-të, herë për zgjedhje, e herë për pamundësinë e tyre. “Të paktën të ecim në një drejtim të qartë,” tha ai.

Duke iu referuar protestave, Salianji hodhi dyshime mbi arsyet pse sheshet e opozitës janë zbrazur, duke theksuar se Shqipëria nuk është një regjim i mbyllur dhe se qytetarët janë të informuar dhe të aftë të reagojnë kur ndjejnë se përfaqësohen.

Deklaratat e Salianjit tregojnë thellimin e përçarjeve brenda PD-së, ndërsa lëvizja e tij po përpiqet të artikulojë një linjë alternative për të ardhmen e opozitës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb