Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i ftuar në emisionin “Kjo Javë”, ka komentuar situatën e krijuar brenda PD-së, ndërsa ka nisur një lëvizje me demokratët në mbarë vendin, në një kohë kur lidershipi aktual e ka cilësuar atë si “të vetëpërjashtuar”.
I pyetur nëse do të garojë kundër Sali Berishës në zgjedhjet e brendshme të partisë, Salianji u shpreh se aktualisht nuk ndodhet në një fazë gare personale, por në një proces dëgjimi dhe grumbullimi të shqetësimeve të demokratëve.
“Unë po mbledh shqetësimet e demokratëve. Do të kemi një etapë tjetër kur do të flasim për rrugët e zgjidhjes. Kjo nuk është një fazë ku ka garë apo shprehje ambiciesh personale”, tha Salianji.
Sipas tij, fokusi i lëvizjes që ka nisur nuk është një përballje për poste, por rikthimi i Partisë Demokratike si një forcë fituese.
“Në këtë fazë them vetëm një gjë: dua që PD të jetë fituese. Lëvizja dhe mendimi im është që PD të fitojë dhe të bëjmë gjithçka për këtë. Nuk përjashtoj asgjë nga ajo që do të thonë demokratët”, u shpreh ish-deputeti.
Salianji theksoi se vendimet për të ardhmen e partisë duhet të burojnë nga baza dhe nga idetë më të mira për ringritjen e saj.
“Duhet të gjejmë çdo rrugë, rrugën më të mirë, idetë më të mira dhe ta bëjmë partinë fituese”, përfundoi ai.
