TIRANË – Një specialist amerikan i shkencave kompjuterike u ka mësuar sot nxënësve të shkollës “Fan Noli” në Tiranë sesi të ndërtojnë vetë një “video-game” duke u përpjekur të zgjojë interesin e tyre për këtë shkencë.
Leksioni u bë i mundur pasi Ambasada Amerikane në Shqipëri iu bashkua nismës së Fondacionit EDS në promovimin e “Orës së Kodimit”, një iniciativë që do t’u japë mundësinë nxënësve dhe studentëve Shqiptarë të mësojnë shkencat kompjuterike.
Specialisiti i Menaxhimit të Informacionit në Ambasadën Amerikane, z.Michael McCord vizitoi shkollën 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë dhe u mësoi se çfarë është kodimi nxënësve të kësaj shkolle.
Z. McCord u shpjegoi nxënësve gjërat bazë të kodimit dhe teorisë së shkencave kompjuterike dhe u bëri shumë pyetje nxënësve të pranishëm. Së bashku ata bënë një video lojë dhe analizuan çdo komponentë të lojës , në mënyrë që nxënësit të mësonin se si të ndërtonin vetë lojërat e tyre. Ai tha se shpresonte shumë që kjo inisiativë të zgjojë interes te disa fëmijë dhe ato t’i shikojnë shkencat kompjuterike si karrierën e tyre të ardhshme.
(ar.sh/BalkanWeb)
