Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka zbuluar në News24, se ka pasur një telefonatë direkte me kryeministrin Edi Rama, të cilën e cilësoi si vlerësuese dhe civile.
Sipas Sulës, kryeministri e ka kontaktuar personalisht, duke i shprehur respekt për integritetin dhe dinjitetin e tij gjatë rreth 20 viteve në politikë. “Më ka thënë se respekton dinjitetin dhe integritetin tim si një njeri i papërfolur dhe më ka ftuar të kontribuoj për shtetin shqiptar aty ku e mendoj vetë”, deklaroi ish-deputeti.
Ai theksoi se përgjigjja e tij ka qenë e sinqertë dhe refuzuese. “I thashë që nuk jam gati”, u shpreh Sula, duke sqaruar se telefonata ka ndodhur në muajt gusht ose shtator, para nisjes së sesionit parlamentar. Sipas tij, ai ka zgjedhur të vijojë angazhimet e veta personale dhe profesionale, pa pranuar asnjë ofertë në atë moment.
Sula tregoi gjithashtu se e ka falënderuar Ramën për vlerësimin, pavarësisht përballjeve dhe debateve politike që kanë pasur ndër vite. Ai e cilësoi këtë gjest si shenjë civilizimi politik. “Tregon vlerë dhe kurajë kur kryeministri shqiptar vlerëson një kundërshtar politik për karakterin dhe e fton të kontribuojë në institucionet e shtetit”, tha Sula.
Ish-deputeti nënvizoi se, pavarësisht ftesës, ai nuk ka pranuar asnjë rol institucional, duke hedhur poshtë zërat për emërime apo angazhime të tij në strukturat e qeverisë.
