Kryeministri Edi Rama, në një fjalim gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, iu drejtua kritikave opozitës dhe Partisë Demokratike, duke akuzuar ata për “legalizimin e rrugaçërisë” brenda Kuvendit të Shqipërisë.

Rama theksoi se kjo sjellje ka pasoja të mëdha sociale dhe psikologjike, sidomos për të rinjtë dhe familjet që ndjekin punën e Parlamentit, duke krijuar urrejtje dhe zgjeruar hendekun shoqëror. “Kur them politika nuk flas sic flasin të dërguarit e vendeve të tjera në Shqipëri, por politika që vepron prapa, duke u përpjekur të na pengojë neve të vazhdojmë përpara,” u shpreh Rama.

Ai bëri thirrje për përmirësimin e funksionimit të Kuvendit dhe futjen e teknologjisë në mënyrë më të gjerë në punën parlamentare. Rama sugjeroi që kanali i Parlamentit të televizionit shqiptar të transformohet në një platformë të vërtetë parlamentare, duke shfaqur seancat dhe komisionet, por gjithashtu duke përfshirë diskutime dhe analiza, duke u bazuar në modelin e vendeve të tjera.

Kryeministri përmendi gjithashtu rëndësinë e përfaqësimit të opozitës, duke pyetur për rolin e Gjekmarkajt si nënkryetar, dhe duke vlerësuar kontributin e tij si një “aset pozitiv” për Parlamentin.

“Legalizimi i rrugaçërisë në Parlament është bashkëfajësi në goditjen e të gjtihë atyre të rinjve dhe familjeve që ndjekin Kuvendin e Shqipërisë, është goditje në nivelin psikologjik, edukativ dhe mbi të gjitha një goditje në aspektin social. Sepse krijon vetëm nxitje të urrejtjes dhe krijon vetëm zgjerim të hendekut, të pamerituar për shqiptarët që e mban hapur dhe e gërmon politika. Kur them politika nuk flas sic flasin të dërguarit me punë të vendeve të tjera në Shqipëri ku thonë politika në përgjithësi, por politika që ne nuk e kemi përballe, por mbrapa duke u përpjekur që të na pengojë neve të vazhdojmë përpara.

Më tutje dhe këtu dua ta mbyll me funksionimin e Kuvendit, duhet të ecim me shumë vendosmëri në futjen sa më thellë të teknologjisë në punën e Kuvendit, me të gjitha ato që u thanë. E kemi thënë dhe herë të tjera, unë mendoj që kanali i parlamentit në televizionin shqiptar duhet të kthehet në një kanal të parlamentit jo thjesht për të lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë seancat apo komisionet. Vendet e tjera e kanë një kanal parlamentar, duhet ta kemi dhe ne. Kjo bëhet duke ftuar edhe përfaqësuesin e opozitës, profesor Gjekmarkaj është akoma nënkryetar? Si është situata? Është profesori një aset pozitiv. Shpresoj që mos t’i kushtojë ndonjë goditje nën brez”, tha Rama.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb