Ish-deputeti Dashamir Shehi, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka komentuar aktualitetin politik në vend, duke u ndalur te qeverisja e kryeministrit Edi Rama, skandalet e fundit dhe debati mbi ndryshimet kushtetuese.
Sipas Shehit, kryeministri Rama ndodhet në një moment kur nuk ka më çfarë t’u ofrojë qytetarëve përballë skandaleve dhe, siç u shpreh ai, “maskarallëkut” që po shoqëron qeverisjen. “Tani i duhet një narrativë e re”, deklaroi Shehi, duke shtuar se sa herë Rama përmend ndryshimet kushtetuese, qëllimi kryesor është reduktimi i pushtetit të palës tjetër dhe përqendrimi i mëtejshëm i kompetencave në duart e mazhorancës.
Ai u ndal edhe te propozimet për reformën administrative dhe zvogëlimin e numrit të deputetëve, duke theksuar se problemi nuk qëndron thjesht te numri. “Thotë të ulet numri në Parlament, por logjika nuk është vetëm numri i deputetëve. Mënyra se si zgjidhen deputetët ka rëndësi, dhe këtë ai nuk e thotë”, u shpreh Shehi, duke theksuar se ky është thelbi i debatit kushtetues.
Duke iu referuar ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, ish-deputeti theksoi se ato i hoqën presidentit shumë kompetenca dhe dëmtuan balancën e pushteteve. Sipas tij, sistemi parlamentar kërkon mekanizma kontrolli dhe ekuilibri, ku presidenti të ketë rol ndërhyrës në raste të caktuara. “Zgjedhja e presidentit u zhvlerësua dhe sot presidenti është bërë ushtar partie”, tha Shehi, duke kujtuar se më herët kërkohej një shumicë prej 3/5 të Parlamentit, çka impononte kompromis mes palëve.
Shehi akuzoi se këto ndryshime u bënë për interesa personale politike, në një kohë kur Sali Berisha ishte kryeministër dhe Edi Rama synonte të vinte në pushtet, duke zhvlerësuar institucionet e tjera. “Ky është thelbi reaksionar që kanë prodhuar”, theksoi ai.
Në vijim, ish-deputeti kritikoi edhe idetë për krijimin e një Senati, duke i cilësuar të papërshtatshme për një vend me rreth 2 milionë banorë. “A do ta bëjnë strehë për të korruptuarit e plakur që të mbrohen si senatorë? Kam frikë se këtë duan të bëjnë dhe se do ta bëjnë”, deklaroi Shehi.
Në përfundim, ai u shpreh se çdo ndryshim i ri kushtetues duhet të synojë rikthimin te fryma e Kushtetutës para vitit 2008, duke garantuar ndarje reale pushtetesh dhe funksionim të shëndetshëm të institucioneve demokratike.
