Ish-deputeti Dashamir Shehi, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë”, ka komentuar aktualitetin politik në vend, duke u ndalur te mbledhja e zhvilluar sot e grupit parlamentar të Partisë Socialiste në Pallatin e Brigadave dhe fjalimi i kryeministrit Edi Rama.
Sipas Shehit, kryeministri Rama nuk ka më të njëjtën atmosferë dhe besueshmëri sa i përket procesit të integrimit evropian. Ai u shpreh se në fjalimin e tij Rama lëshoi sinjale të rrezikshme në raport me aleatët perëndimorë. “Rama lëshoi një sinjal që, po nuk na deshët ju, kemi Kinën. Kjo është temë e rrezikshme”, deklaroi Shehi, duke shtuar se kjo qasje i ngjan praktikave të së shkuarës.
Ish-deputeti krahasoi këtë retorikë me politikën e izolimit të ndjekur nga regjimi i Enver Hoxhës, që sipas tij lëvizte mes Jugosllavisë, Bashkimit Sovjetik dhe Kinës, në varësi të interesave. “Jo se Kina nuk ka para, por kjo është historia që bënte Enver Hoxha. Ne jemi një pikë në ujë në gjeopolitikë”, theksoi Shehi, duke nënvizuar se Shqipëria nuk ka peshë për të luajtur me balancat ndërkombëtare.
Ai shtoi se Rama përpiqet të krijojë idenë se ai kontrollon mbështetjen ndërkombëtare, por sipas Shehit kjo është një iluzion. “Ata që më mbajnë mua, thotë ai, i mbaj unë nga ndërkombëtarët, por e gënjen mendja kot, nuk do ta mbërrijë”, u shpreh ish-deputeti.
Në analizën e tij, Shehi u ndal edhe te simbolika e vendit ku u zhvillua mbledhja e grupit parlamentar të PS-së. Ai e cilësoi të papërshtatshme zhvillimin e saj në Pallatin e Brigadave, duke theksuar se ai është “pallati i popullit dhe jo i qeverisë apo i një partie politike”. “Çfarë do grupi parlamentar atje? Nuk ka sallë grupi? Ka salla sa të duash, edhe qeveria ka”, tha ai.
Sipas Shehit, zgjedhja e këtij ambienti kishte si qëllim t’u jepte kurajë deputetëve socialistë dhe të përcillte një mesazh force. “Pse i mbledh atje? Për t’u nxjerrë frikën atyre, për t’u thënë se ‘pushteti jemi ne’. Mos u trembni, ndiqni udhëheqësin dhe do ta kapërcejmë edhe këtë”, përfundoi Shehi, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të konsoliduar kontrollin politik në kohë të vështira për mazhorancën.
