Siguria kombëtare e vendit gjëndet në një udhëkryq shumë të rrezikshëm! Shumë episode të dyshimta të mbledhura bashkë, po përbëjnë dalëngadalë një vijë sjelljeje të ekzekutivit që shkon ndesh me interesin kombëtar në kuptimin e sigurisë dhe mjeteve përmes te cilave konsumohet. Duke nisur që nga diplomacia, veprimtaria e organeve ligjzbatuese, trajtimi i instalimeve dhe pajisjeve ushtarake, teknologjia e informacionit, pra siguria kibernetike, infrastruktura kritike, energjia etj… Pothuajse çdo gërmë e ligjit për Strategjinë për Sigurine Kombëtare, i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë thuajse 2 vite më parë shkelet nga qeveria dhe institucionet në varësi të saj në mënyrë të vazhdueshme prej kohësh. Janë të shumta rastet që nga ndryshimi i destinacionit të bazave detare të Forcave të Armatosura, projekte si TEC i Roskovecit për të cilin Ministeriali për Energjinë i Komisionit Europian shprehet publikisht se është “investim rus”, e deri tek hakerimi i SPAK dhe të dhënave shtetërore dhe individuale të shqiptarëve, qëndra e inovacionit TUMO që përtojnë ti ndërrojnë dhe emrin nga Moska në Tiranë, e deri tek survejimi i tipit kinez të qyteteve shqiptare nën ombrellëne e kompanive arabe dhe firmës së Qefalisë, apo më tej tek kontratat e blerjeve të pajisjeve ushtarake nga kompani me ortakë nga vënde satelite të Rusisë në Kaukaz qe po heton per korrupsion e lidhje me krimin ne Belgjike! Pa harruar dhe “qershinë mbi tortë”, Aeroportin e Vlorës për të cilin e edhe flamingot e rosat e Lagunës së Nartës e kanë marrë vesh se 98% e aksioneve janë lënë garanci tek personi që ka negociuar borxhin e jashtëm rus në Klubin e Parisit! Kjo e fundit ndodh vetem 70 kilometra larg Kucoves!

Por historia vazhdon edhe me një aspect tjetër që lidhet me deklaratën e djeshme të të Dërguarës me Punë të SHBA, Nancy Van Horn, sipas së cilës grupet kriminale shqiptare bashkëpunojnë me kartelet e drogës te Amerikës Latine, ç’ka për SHBA konsiderohet drejtpërdrejtë cenim i sigurisë kombëtare. E po të mos harrojmë dhe influencën e ketyre grupeve shqiptare të narko-trafikut në qeverisjen e vendit tonë, me “rregull treshi” i bie që qeveria jonë është bërë palë në cënimin e sigurisë së SHBA. E nuk duhet shumë mënd për ta kuptuar nëse rikujtojmë mesazhin e urimit të Marco Rubios, Sekretarit Amerikan të Shtetit me rastin e 28 nëntorit, ku ky konstatim u afirmua qartë, bukur dhe pastër!

Por lista e shkeljeve me “të dyja këmbët” e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë është konsumuar edhe përmes retorikës publike të diplomacisë së vetë Kryeministrit Rama. Sulmet ndaj Presidentit Trump gjatë fushatës zgjedhore të 2016 në CNN dhe episodi i fundit në Paris ku guxoi dhe u tall publikisht para kamerave në prani të Presidentit Francez dhe atij Azerbajxhanas, përbëjnë incidente të rënda diplomatikë që nuk i shbëjnë dot asnjë lobim apo marrëdhënie okulte poshtë e lartë nga Levanti në SHBA! Por pse përbën kjo retorikë cënim të sigurisë tonë kombëtare, pasi relativizimi dhe mëndje lehtësia tipike e jona në gjykimin e fjalëve është bërë tipar i rëndomtë i diskursit publik? Sepse në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të votuar nga parlamenti ynë në 2014, rikonfirmohet qartë se SHBA janë partneri ynë strategjik.

E kjo jo vetëm sa i përket marrëdhenieve dypalëshe që fillojnë me Konferencën e Parisit, atëherë kur ëidroë ëillson vendosi veton për kufijtë e Shqipërisë së sotme, e më pas me ndërhyrjen ushtarake të 1999 në Kosovë per çlirimin e saj. Jo! Cështja bëhet akoma më serioze nëse kemi parasysh se NATO-n që është dhe garanti kryesor i sovranitetit dhe interesit tonë kombëtar, drejtohet e mbahet në këmbë pikërisht nga kontributi i SHBA! A nuk i di Rama këto? Absolutisht që i di dhe për shkak se i di nuk ka lënë servilizëm pa bërë ndaj shumë politikanëve perëndimorë nga ëashingtoni, Roma e Turqia. Thjeshtë Rama dhe qeveria e tij e nënshtruar ndaj tij apo e infiltruar përmes disa personave kyç të saj, kanë ndryshuar kurs gjeopolitik. Këtë e vërteton fjala e tij në prezantimin e projektit të Parkut Fotovoltaik të Tropojës, ku 4 ditë më parë në prani të përfaqësueses së SHBA e përkufizoi vendin tonë si “pika e mjaltit të Kinës”. Një sfide publike e hapur dhe e shëmtuar. Pikërisht në momentin që SHBA po zbythin influencën e Kinës e Rusisë që nga Venezuela e deri në Iran!

Kjo situatë e rënduar e artikulimit dhe veprimit anti-perëndimor e anti-SHBA të qeverisë Rama, gjithësesi e ka një ilaç sado periferik në pamje të parë. Një mekanizëm që së pari mund të vërë në lëvizje mekanizma kushtetues ndaj veprimtarisë malinje telë qeverisë në aspektin e cenimit të sigurisë tonë kombëtare. Këshillin e Sigurisë Kombëtare që për fat të keq, për nga përbërja më shumë i ngjan një cete anti-kombëtare duke nisur që nga ministrat, kryeministri, e pa harruar dhe kryetarin e opozitës që 4 vite më parë paditi në Paris ish sekretarin e shtetin Anthony Blinken me një akt të pashëmbullt armiqësor. Por Presidenti i Republikës si Kryetar KSK e ka atributin dhe shansin për të bërë një demarsh në këtë drejtim. Pra të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar të gjitha episodet e sipërcituara e të tjera, e të kërkojë llogari e pse jo edhe masa konkrete për përfundimin e kësaj marrëzie apo tradhëtie, sido që ta quajmë.

Fatkeqësisht koha ka treguar se Presidenti nuk ka qëndruar fort përballë mazhorancës kur ajo kalon kufijtë e Kushtetutës e ligjit. Por asnjëherë nuk është vonë për të bërë gjënë e duhur, sidomos lidhur me orientimin perëndimor të Shqipërisë që mbështetet nga mbi 90% e shoqerisë! Fundja Presidenti është edhe Komandant I Përgjithshëm I Forcave të Armatosura, ose maja e diamantit të sigurise sonë kombëtare por që në qeverisjen e Ramës është shndërruar në majë lapsi karboni që po na nxin faqen!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: