Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në lidhje me Korporatën Shqiptare të Investimeve.

Në një reagim në Facebook, Tabaku thotë së krahasimi me modelin italian nuk është e qartë as se cilit institucion italian i referohet, sepse sipas saj një “Korporatë Italiane Investimesh” me funksionet e AIC nuk ekziston.

“Nëse Kryeministri e ka fjalën për Cassa Depositi e Prestiti (CDP), atëherë krahasimi bie menjëherë. CDP është bankë publike zhvillimi, e krijuar rreth 170 vite më parë, që menaxhon kursimet e qytetarëve italianë dhe vepron nën mbikëqyrje të rreptë bankare, rregulla strikte të prokurimit publik dhe kontroll të plotë institucional. Ajo financon projekte, por nuk administron, nuk tjetërson dhe nuk zhvillon pronë publike”, thotë Tabaku.

Reagimi i plotë:

Mbi Korporatën e Investimeve: Gjysmë të vërtetat mbi Italinë dhe e vërteta e Shqipërisë

Së fundmi, Kryeministri denjoi të bëjë disa komente mbi Korporatën Shqiptare të Investimeve (AIC). Me një vetëbesim që synon të bindë publikun përmes retorikës, ai deklaroi se kjo korporatë qenka një kopje e suksesshme e modelit italian të investimeve.
Nuk është hera e parë që Kryeministri përdor fjali të gjata dhe gjuhë të spërdredhur për të paraqitur gjysmë-të-vërteta si fakte të plota. Por në këtë rast, mjafton një krahasim i thjeshtë për të kuptuar se pretendimi nuk qëndron.
Në fakt, nga deklaratat e tij nuk është e qartë as se cilit institucion italian i referohet, sepse një “Korporatë Italiane Investimesh” me funksionet e AIC nuk ekziston.
Nëse Kryeministri e ka fjalën për Cassa Depositi e Prestiti (CDP), atëherë krahasimi bie menjëherë. CDP është bankë publike zhvillimi, e krijuar rreth 170 vite më parë, që menaxhon kursimet e qytetarëve italianë dhe vepron nën mbikëqyrje të rreptë bankare, rregulla strikte të prokurimit publik dhe kontroll të plotë institucional. Ajo financon projekte, por nuk administron, nuk tjetërson dhe nuk zhvillon pronë publike.
Nëse, nga ana tjetër, Kryeministri i referohet Agenzia del Demanio, institucionit që menaxhon pronat e shtetit italian, edhe ky krahasim nuk qëndron. Demanio administron dhe rikonstrukton pronën publike për funksione institucionale, sociale apo kulturore, por nuk hyn në pazare ndërtimi, nuk negocion përqindje me privatë dhe nuk e shndërron pronën publike në biznes spekulativ.
Pra, cilindo model italian të marrë si referencë Kryeministri, rezultati është i njëjtë: në Itali funksionet janë të ndara qartë me ligj. Banka financon, agjencia administron pronën; ndërsa në Shqipëri ato janë përqendruar në një ent të vetëm, pa garë dhe pa llogaridhënie.
Dallimet janë thelbësore. Në Itali, institucionet funksionojnë si banka publike që menaxhojnë para dhe rrezik financiar, ndërsa Korporata Shqiptare e Investimeve nuk menaxhon fonde, por merr prona publike me vendime qeverie dhe i fut ato në marrëveshje ndërtimi me privatë. Ndërsa institucionet publike europiane veprojnë përmes prokurimit publik dhe konkurrencës së hapur, AIC shmang garën dhe krijon privilegje të drejtpërdrejta për partnerë të përzgjedhur.
Po aq i rëndësishëm është edhe roli i shtetit. Në Europë, ndërhyrja publike bëhet aty ku tregu dështon – për banesa sociale, zona të varfra apo infrastrukturë strategjike. AIC bën të kundërtën, duke ndërhyrë aty ku tregu funksionon më së miri dhe duke krijuar konkurrencë të pandershme të sponsorizuar nga shteti. Ndërkohë, qeveria shqiptare është njëkohësisht edhe lojtari që ndërton, edhe arbitri që firmos për veten, ndërsa rreziku financiar i kësaj skeme nuk shfaqet sot në buxhet, por u lihet shqiptarëve si faturë për nesër.
Ky dallim nuk është teorik. Ai është konkret dhe ka emër.
Me një vendim të Këshillit të Ministrave, qeveria ia kaloi godinën e ish-shkollës jetimore “Zyber Hallulli” Korporatës Shqiptare të Investimeve. Një pronë publike me funksion social iu hoq fëmijëve jetimë përmes një firme qeveritare, pa debat publik dhe pa transparencë. Korporata e Investimeve veproi jo si institucion shtetëror, por si një pronar i keq: hoqi fëmijët nga godina, i zhvendosi në periferi dhe e nxori pronën nga funksioni i saj social.
Në një shtet europian, një veprim i tillë do të ishte i paimagjinueshëm. Prona publike do të rikonstruktohej, jo të shkatërrohej; funksioni social do të ruhej; fëmijët do të ishin prioritet, jo pengesë për një projekt ndërtimi.
Në Shqipëri ndodhi e kundërta. Fëmijët u larguan. Funksioni social u zhduk. Dhe prona publike u fut në logjikën e zhvillimit imobiliar, ku sot flitet për ndërtimin e një godine të madhe, me shumë gjasa një kullë tjetër, në shërbim të interesave të një pakice.
Kjo është diferenca thelbësore. Në Itali, prona publike ruhet dhe i shërben interesit publik. Në Shqipëri, përmes Korporatës së Investimeve, shteti po reduktohet në një biznes ordiner ndërtimi.

Dhe Italia, kësaj radhe, nuk mund të jetë as justifikimi dhe as alibia.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: