Këtë të dielë në qytetin bregdetar të Vlorës, në 35-vjetorin e krijimit të shoqatës Çamëria, dega Vlorë, zhvillohen zgjedhjet për kreun e kësaj shoqate për t’i hapur rrugë riorganizimit.

Ish-deputeti çam i Vlorës, Dashamir Tahiri, thotë se riorganizimi është tepër i nevojshëm, pasi për një farë kohe shoqata nuk ka funksionuar siç duhet.

Zgjedhjet e kreut të shoqatës Çamëria në Vlorë i hapin rrugën edhe zgjedhjeve më pas të përgjithshme. Çamët ndër vite, sipas Dashamir Tahirit, kanë qenë të përçarë dhe ai bën përgjegjës vetëm një emër, Shpëtim Idrizin. Tahiri thotë se ka ardhur koha që për çështjen çame të flitet më të madhe.

Prej 4 kandidatëve në garë, dy prej tyre janë tërhequr, duke mbetur në zgjedhje vetëm z. Sali Nuredini dhe z. Enea Bardhi.

Nuredini thotë se kandidon për bashkimin e çamëve, pavarësisht ngjyrave partiake. Sipas tij, shoqata Çamëria do të ketë një seli dhe do të funksionojë në qytet si një forcë e madhe në mbrojtje të çështjes çame.

Enea Bardhi, kandidati tjetër, ka vendosur të kandidojë si një i ri çam. Pikërisht platformën e tij e bazon te rinia, teksa thotë se synon të zgjojë të rinjtë çamë, t’i bashkojë dhe të sjellë ndryshimin. Prej rinisë ai sheh ndryshimin që do të vijë mbi çështjen çame.

Shoqata Çamëria do të thotë shumë edhe për çamët, jo vetëm të Vlorës, por edhe të mbërritur nga qytete të ndryshme si Saranda, Fieri, Konispoli, Elbasani, Durrësi dhe Tirana, të cilët kanë marrë pjesë në një aktivitet festiv të mbajtur me këtë rast. Për ta ka ardhur koha që të gjithë çamët, kudo që ndodhen, të bashkohen dhe të thonë fjalën e tyre. Ka ardhur koha që të largojnë të gjithë ata që deri më tani i përçanë.

Aktiviteti, i cili u zhvillua përpara zgjedhjeve për kryetarin e ri të shoqatës Çamëria Vlorë, ishte me këngë dhe valle çame, teksa përgjatë tij të dy kandidatët prezantuan platformën, por edhe treguan arsyet përse kandiduan.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb