Një dokumentar i ri pritet të hedhë dritë mbi grabitjen spektakolare të ndodhur në Muzeun e Luvrit më 19 tetor 2025, ndërsa misteri mbi fatin e bizhuterive të vjedhura vijon të mbetet i pazbardhur.

Sipas Le Parisien, në pamje ekskluzive që do të transmetohen në emisionin Sept à Huit, një nga autorët shihet duke tentuar të thyejë një vitrinë, fillimisht me një send të fortë dhe më pas duke goditur xhamin me grushte për të marrë bizhuteritë. I veshur me një jelek verdhë e zi, ai më pas i bashkohet bashkëpunëtorit të tij për të çmontuar një vitrinë të dytë dhe për të grabitur sende të tjera me vlerë.

Tre muaj pas ngjarjes, katër persona të dyshuar ndodhen në paraburgim, por bizhuteritë ende nuk janë gjetur. Autoritetet nuk përjashtojnë asnjë pistë: ato mund të jenë fshehur jashtë Francës, në ndonjë vendstrehim brenda vendit, apo edhe në fund të lumit Senë.

“Prioriteti ynë mbetet rikuperimi i bizhuterive”, deklaroi prokurorja e përgjithshme e Parisit, Laure Bekou, duke theksuar se hetimet po vazhdojnë pa përjashtuar asnjë skenar. Ajo shtoi se nuk ka prova që tregojnë se sendet e vjedhura kanë kaluar kufirin, por nënvizoi se çdo mundësi mbetet e hapur.

Hetuesit ende nuk kanë arritur të përcaktojnë nëse grabitja ishte e porositur. “Është një pistë që po shqyrtohet, por nuk mund të konsiderohet më e besueshme se të tjerat”, tha Bekou, duke përfunduar se autoritetet do të vijojnë hetimet për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb