Presidenti kilian Gabriel Boric rishikoi të dielën numrin e viktimave nga zjarret masive që kanë përfshirë pjesën jugore të vendit, duke konfirmuar vdekjen e të paktën 18 personave dhe duke paralajmëruar se bilanci mund të rritet në orët dhe ditët në vijim. Në të njëjtën kohë, ai shpalli shtetrrethim gjatë natës në komunitetet më të prekura.

“Numri i konfirmuar është 18 të vdekur, por mund t’ju them me siguri se ky numër do të rritet”, deklaroi Boric nga qyteti Concepción, ku udhëtoi për të koordinuar përpjekjet për shuarjen e zjarreve dhe menaxhimin e emergjencës.

Më herët, ministri i Sigurisë, Luis Cordero, kishte njoftuar për 15 viktima dhe mbi 50 mijë persona të detyruar të braktisin shtëpitë e tyre për shkak të flakëve.

Zjarret shpërthyen të shtunën në rajonet Ñuble dhe Biobío, rreth 500 kilometra në jug të kryeqytetit Santiago, të nxitura nga temperaturat e larta dhe erërat e forta. Autoritetet raportojnë se rreth 300 shtëpi janë shkatërruar, por presidenti theksoi se ky është një vlerësim i ulët dhe se është e mundur që mbi 1,000 banesa të jenë kthyer në hi.

Shtetrrethimi i natës do të zbatohet në zonat më të prekura të prefekturës Biobío, veçanërisht në Lirquén dhe Penco. “Kushtet janë shumë të pafavorshme”, paralajmëroi Boric.

Gazetarët raportojnë se në këto komunitete shumë shtëpi janë përfshirë nga flakët. Banorët përshkruajnë skena dramatike. “Në orën 2:30 të mëngjesit, zjarri doli jashtë kontrollit. Ishte si një stuhi zjarri që përpinte shtëpitë në lagjen përballë”, tha Mathias Sid, një student 25-vjeçar nga Penco. Ai shtoi se banorët u detyruan të largoheshin vetëm me rrobat që kishin veshur, nga frika se po të qëndronin edhe pak minuta më shumë do të rrezikonin jetën.

Kryetari i bashkisë së Penco-s, Rodrigo Vera, konfirmoi se vetëm në këtë komunitet kanë humbur jetën 14 persona, duke e bërë situatën një nga tragjeditë më të rënda të viteve të fundit në rajon.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb