Italia është shprehur e gatshme të ndërmjetësojë midis SHBA-së dhe Evropës. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni konsiderohet nga udhëheqësit evropianë si një person që ka marrëdhënie të mirë me Trumpin.
Ministri i Jashtëm Antonio Tajani tha: “Unë besoj se Italia, për shkak të natyrës së saj, kapacitetit të saj për ndërmjetësim dhe aftësisë së saj për të folur me të gjithë, mund të luajë një rol pozitiv për gjetjen e marrëveshjeve.” Ai shtoi se Kryeministrja Giorgia Meloni është “në dialog me Shtetet e Bashkuara, por edhe me evropianët”.
Tajani vazhdoi: “Nuk ka absolutisht asnjë nevojë për luftëra tregtare apo konflikte. Ne kemi nevojë për dialog dhe duhet të gjejmë zgjidhje që nuk e dëmtojnë askënd.”
Meloni: “I thashë Trumpit çfarë mendoja”
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni i quajti tarifat doganoretë shpallura nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump si “gabim”. Ajo tha se kishte folur me Trumpin “dhe i kishte thënë mendimin e saj”.
Në të njëjtën kohë Meloni u përpoq të qetësonte tensionet midis SHBA-së dhe Evropës. Kishte “një problem me komunikimin dhe mirëkuptimin”, tha ajo. “Nga perspektiva e SHBA-së mesazhi nga përtej Atlantikut nuk kishte qenë i qartë”.
Sytë nga Davosi
Një mundësi për bisedime për krizën mund të ofrojë edhe Forumi Ekonomik Botëror në Davos. Donald Trump pritet të shkojë atje të mërkurën. Edhe kancelari Merz do të jetë në Davos. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi pas një bisede telefonike me Trumpin: “Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim” dhe gëzohet për takimin me Trumpin në Davos.
Italia, një nga anëtaret themeluese të NATO-s, nuk dërgoi në Groenlandë asnjë trupë në misionin e zbulimit të udhëhequr nga Danimarka. Në mision krahas Danimarkës morën pjesë shtatë vende të tjera evropiane: Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Holanda dhe Finlanda./ DW
