Gjykata e Durrësit ka lënë në fuqi masën ‘arrest me burg’ për ish-drejtorin e Burgut të Durrësit, Indrit Cërloj, i cili u arrestua tre ditë më parë. Gjykata e Durrësit caktoi ndaj tj më 16 janar masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për Cërlojn, i cili akuzohet për shpërdorim detyre në rastin e arratisjes së Altin Ndocit. kjo masë u la në fuqi edhe sot.
Ndërkohë masa ‘arrest shtëpie’ u la në fuqi dhe për mjeken Ylvete Sema, 65 vjeçe.
Pak ditë më parë, Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari firmosi shkarkimin e Indrit Cërloj nga drejtor i IEVP Durrës. Vendimi erdhi një ditë pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci teksa ky i fundit ishte dërguar për kontroll mjekësor në spitalin e qytetit.
Pas kësaj ngjarje, u krye menjëherë pezullimin e nga detyra të të gjithë zinxhirit komandues të IEVP Durrës.
Nga verifikimet paraprake rezulton se IEVP Durrës për shoqërimin e planifikuar nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.
Ndërkohë në pranga u vunë 8 persona:
Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve;
Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës.
