Qeveritë reaguan me kujdes të dielën ndaj ftesës së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për t’u bashkuar me iniciativën e tij “Bordi i Paqes”, e cila synon zgjidhjen e konflikteve në nivel global. Diplomatët paralajmëruan se plani mund të dëmtojë punën e Kombeve të Bashkuara. Vetëm Hungaria, udhëheqësi i së cilës është një aleat i ngushtë i Trump, dha një pranim të qartë ndaj ftesave, të cilat u janë dërguar rreth 60 vendeve dhe kanë filluar të mbërrijnë në kryeqytetet evropiane që të shtunën, sipas burimeve diplomatike.

Qeveritë e tjera u treguan të rezervuara për të bërë deklarata publike, duke i lënë zyrtarët të shprehin në mënyrë anonime shqetësimet e tyre lidhur me ndikimin që kjo nismë mund të ketë në punën e OKB-së.

Sipas një kopjeje të letrës dhe draftit të kartës së parë të siguruar nga Reuters, bordi do të kryesohej nga Trump dhe fillimisht do të merrej me konfliktin në Gaza, për t’u zgjeruar më pas në konflikte të tjera. Anëtarësimi do të kufizohej në mandate trevjeçare, përveç rasteve kur vendet do të paguanin nga 1 miliard dollarë secila për të financuar aktivitetet e bordit dhe për të fituar anëtarësim të përhershëm.

“Kjo thjesht ofron anëtarësim të përhershëm për vendet partnere që demonstrojnë angazhim të thellë për paqen, sigurinë dhe prosperitetin”, tha Shtëpia e Bardhë në një postim në platformën X.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, gjatë një vizite në Korenë e Jugut, u tha gazetarëve se Italia ishte “gati të bënte pjesën e saj”, megjithëse nuk ishte e qartë nëse ajo i referohej konkretisht Gazës apo përpjekjeve për paqe në përgjithësi. Kryeministri kanadez Mark Carney deklaroi se kishte rënë dakord në parim me Bordin e Paqes të Trump për Gazën, edhe pse detajet mbeteshin ende për t’u përpunuar.
Një mandat për një Bord Paqeje ishte autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së në nëntor, por vetëm deri në vitin 2027 dhe i fokusuar ekskluzivisht në konfliktin e Gazës. Rusia dhe Kina, dy anëtarë me të drejtë vetoje, abstenuan, duke argumentuar se rezoluta nuk i jepte OKB-së një rol të qartë në të ardhmen e Gazës.

“Kohë të errëta”

Përfshirja e një “karte” në letrën e ftesës ngjalli shqetësime në disa qeveri evropiane se kjo nismë mund të minojë punën e Kombeve të Bashkuara, të cilat Trump i ka akuzuar shpesh se nuk mbështesin përpjekjet e tij për t’i dhënë fund konflikteve globale.

“Është një ‘OKB e Trump’ që injoron themelet e Kartës së OKB-së”, tha një diplomat. Tre diplomatë të tjerë perëndimorë theksuan se, nëse realizohet, kjo nismë mund të minojë rolin e OKB-së.

Sipas disa diplomatëve dhe një burimi izraelit, Trump synon që Bordi i Paqes të ketë një rol më të gjerë përtej Gazës, duke mbikëqyrur edhe konflikte të tjera që ai pretendon se i ka zgjidhur. Midis të ftuarve ishin udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Hungarisë, Australisë, Kanadasë, Komisionit Evropian dhe fuqive kryesore të Lindjes së Mesme.

“Ne, sigurisht, e kemi pranuar këtë ftesë të nderuar”, shkroi kryeministri hungarez Viktor Orbán në X. Dokumenti theksonte se “paqja e qëndrueshme kërkon gjykim pragmatik, zgjidhje me logjikë të shëndoshë dhe guxim për t’u larguar nga qasjet dhe institucionet që shpesh kanë dështuar”, duke shtuar nevojën për “një organ ndërkombëtar më të shkathët dhe efektiv për ndërtimin e paqes”.

Një zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, deklaroi se ai “beson se shtetet anëtare janë të lira të bashkohen në grupe të ndryshme”, ndërsa OKB-ja “do të vazhdojë me punën e saj të mandatuar”.
Trump, i cili ka shprehur hapur dëshirën për Çmimin Nobel për Paqen, shkroi në letër se bordi do të mblidhej së shpejti, duke theksuar: “Ky bord do të jetë unik, nuk ka pasur kurrë diçka të tillë!”

Një tjetër zyrtar i lartë i OKB-së tha se Kombet e Bashkuara mbeten i vetmi institucion me aftësinë morale dhe ligjore për të bashkuar të gjitha shtetet. “Nëse e vëmë në dyshim këtë, kthehemi në kohë shumë, shumë të errëta”, tha për Sky News Annalena Baerbock, presidente e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Trump ka qenë prej kohësh skeptik ndaj institucioneve shumëpalëshe, veçanërisht OKB-së, duke vënë në dyshim efektivitetin, koston dhe llogaridhënien e tyre. Shtëpia e Bardhë njoftoi të premten emrat e disa anëtarëve të bordit, përfshirë Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, të dërguarin special Steve Witkoff, ish-kryeministrin britanik Tony Blair dhe dhëndrin e Trump, Jared Kushner.

Ekspertë dhe aktivistë për të drejtat e njeriut kanë kritikuar nismën, duke thënë se drejtimi i një bordi nga Trump për të mbikëqyrur qeverisjen e një territori të huaj i ngjan një strukture koloniale. Gjithashtu, përfshirja e Tony Blair është kritikuar për shkak të rolit të tij në luftën e Irakut dhe trashëgimisë së imperializmit britanik në Lindjen e Mesme.

Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë ende detaje mbi përgjegjësitë individuale të anëtarëve të bordit dhe ka bërë të ditur se emra të tjerë do të shpallen në javët në vijim. Po ashtu, është krijuar një “Bord Ekzekutiv i Gazës” me 11 anëtarë për të mbështetur organin teknokratik, ku përfshihen zyrtarë nga Turqia dhe Katari. Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se përbërja e këtij bordi nuk ishte koordinuar me Izraelin dhe binte ndesh me politikën e tij./ Përktheu Erion Kaçorri

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb