Kryetari i PD, Sali Berisha e konsideroi projektin Smart City si korruptivdhe me çmime deri 30 herë më të larta.
Gjatë konferencës për shtyp nga selia blu, Berisha akuzoi kunatin e kryeministrit Edi Rama se qëndron pas projektit, i kamufluar me emrat e personave të tjerë.
Berisha tha se në Shqipëri ky projekt është tejfryrë dhe pritet të kushtojë 157 mln euro, në një kohë kur popullsia e vendit është më pak se 2 mln banorë.
Sali Berisha: Por ky projekt, i cili është i tëri vendosje e Shqipërisë, qytetarëve të saj në kontroll total, është njëkohësisht një projekt fund e krye korruptiv. Çmimet e ofruara për realizimin e këtij projekti janë nga 10 gjer në 30-fishin e çmimeve për këto aparatura në treg. Kështu, në qoftë se kamera e trupit të policit kushton në këtë projekt 15.700 euro, ajo blihet kudo me 1000- 1500 euro. Në rast se kamera e rrugës kushton 52 mijë euro, kjo kamerë blihet lirshëm me 2 mijë euro. Pra është 25 herë më e shtrenjtë se sa gjendet në treg. Kostot e projektit në tërësi rezultojnë, krahasuar me zbatimin e tyre në vendet e tjera, në proporcion të paktën 10-12 herë më të larta.
Kështu në Bengalore të Indisë ky projekt ka kushtuar 67 milionë dollarë për një popullsi 8 milionë banorë, mbi katërfishin e popullsisë së Shqipërisë.
Pra, i bie rreth 15 herë më shtrenjtë projekti në Shsqipëri, po të kemi parasysh se këtu as 2 milionë banorë nuk janë dhe projekti kushton 157 milionë euro.
Edhe këtu dora e zezë e kunatit famëzi me prestanome është e sigurt. Imagjinoni pra vjedhjet 15-fishi i kostos të një qyteti të famshëm në Indi. Dënoj me forcën më të madhe një projekt të tillë si një vjedhje të përmasave të papërmbajtura, si një dhunim dhe cenim i madh i sigurisë kombëtare të shqiptarëve, i privacisë së tyre.
Ata tani nuk mund të shkojnë më tek njëri-tjetrit pa syrin e Ciklopit mbrapa dhe ky është Edi Rama.
Sigurisht që PD do e ngrejë më forcën më të madhe këtë çështje edhe në institucionet ndërkombëtare pasi përbën një shkelje fondamentale të të drejtave të njeriut.
