Ish-deputeti dhe ish zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Burgjeve, Lefter Maliqi, ka komentuar në studion e News24 arratisjen e Altin Ndocit, e ndodhur rreth një javë më parë nga ambientet e spitalit rajonal të Durrësit gjatë një vizite mjekësore.
Maliqi e cilësoi gjithë procedurën si tërësisht të dështuar, duke theksuar se në çdo institucion të ekzekutimit të vendimeve penale (IEVP) në Shqipëri ka staf shëndetësor të përhershëm, përfshirë infermierë, mjekë dhe dentistë. Sipas tij, kur një i burgosur ka probleme shëndetësore, fillimisht trajtohet brenda institucionit, më pas në spitalin e burgut dhe vetëm në rastet kur nuk mund të merret përsipër, dërgohet në një spital civil jashtë sistemit të burgjeve.
Duke iu referuar rastit konkret, Maliqi deklaroi se bëhet fjalë për një akt të krimit të organizuar, të kryer me pagesë. Ai u shpreh i habitur që i dënuari është shoqëruar vetëm nga tre punonjës policie, ndërkohë që, sipas tij, duhej të ishin angazhuar forcat operacionale të burgjeve të atashuara pranë SPAK, si edhe Policia e Shtetit.
Sipas Maliqit, rrethanat e arratisjes ngrenë dyshime serioze për bashkëpunim të mirëorganizuar, pasi personi që e priste Altin Ndocin jashtë spitalit me makinë ishte i informuar se nuk bëhej fjalë për shoqërim nga Policia e Shtetit, ndërsa vetë Ndoci njihte saktësisht itinerarin që do të ndiqte. Këto elemente, sipas tij, tregojnë për një skemë të mirëpaguar dhe të planifikuar paraprakisht.
