Është zbardhur dinamika e plotë e arratisjes së Altin Ndocit, i cili disa ditë më parë u largua nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit gjatë një vizite mjekësore.
Ndoci, i paraburgosur prej vitesh dhe i akuzuar për vrasje me pagesë, vijon të jetë ende në arrati, ndërsa prokuroria ka detajuar në dosje hapat që çuan në arratisjen e tij.
Sipas materialeve hetimore, strukturat përkatëse të IEVP Durrës, përfshirë shërbimin shëndetësor, policinë e burgjeve, sektorin social dhe atë ligjor, kishin planifikuar shoqërimin e Altin Ndocit dhe një paraburgosuri tjetër për vizitë mjekësore në Spitalin Rajonal të Durrësit, me itinerar vajtje-ardhje brenda së njëjtës ditë. Procedura ishte miratuar nga drejtuesit përkatës, ndërsa kryeinfermieri Aulon Çuku kishte komunikuar me spitalin për realizimin e vizitës.
Shoqërimi i të paraburgosurve ishte planifikuar të kryhej nga disa punonjës të policisë së burgjeve, me një furgon tip “Autoambulance” të IEVP Durrës. Fillimisht, Altin Ndoci u transportua drejt pavijonit të Infektivit në Spitalin Rajonal të Durrësit. Gjatë transportit, ai ka shfaqur shqetësime shëndetësore dhe është ankuar për dhimbje.
Në momentin e mbërritjes në spital, Ndoci u nxor nga furgoni, iu hoqën prangat dhe u shoqërua në këmbë drejt dhomës së izolimit në katin e tretë, dhoma nr. 7, e pajisur me zgarë hekuri për të paraburgosurit. Shoqërimi u krye nga disa punonjës policie, ndërsa njëri prej tyre u largua më pas, duke e lënë Ndocin nën ruajtjen e dy efektivëve.
Sipas dosjes, mjeku kardiolog i Spitalit Rajonal të Durrësit rekomandoi mjekim dhe rikontroll pas dy orësh. Gjatë pritjes, Ndoci është ankuar vazhdimisht për dhimbje të forta dhe ka kërkuar të shoqërohej disa herë në tualet, kërkesë që i është plotësuar nga efektivët.
Momenti i arratisjes ka ndodhur pikërisht gjatë një prej këtyre shoqërimeve. Sapo është hapur zgara e hekurt për ta dërguar në tualet, Altin Ndoci ka goditur me grusht një prej punonjësve të policisë në kraharor, duke e rrëzuar atë dhe kolegun tjetër në tokë. Më pas, ai është larguar me vrap nëpër korridoret e spitalit.
Dy efektivët kanë tentuar ta ndjekin, por njëri prej tyre ka rrëshqitur në shkallë. Pavarësisht ndjekjes, Ndoci ka arritur të dalë nga dera kryesore e spitalit. Një prej punonjësve ka qëlluar një herë në tokë me armën e shërbimit për ta trembur, por i arratisuri ka vijuar largimin. Sipas dëshmive të banorëve përreth, Ndoci është larguar me një automjet të zi me targë AA 700 RS.
Nga hetimet paraprake rezulton se e gjithë procedura e përgatitjes së rekomandimit për vizitë mjekësore është kryer në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore në fuqi. Prokuroria thekson se rekomandimi për dërgimin e Ndocit në spital është bërë pa u kryer më parë një vizitë mjekësore brenda institucionit të vuajtjes së dënimit, në shkelje të ligjit “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” si dhe rregullores së përgjithshme të burgjeve.
Hetimet për zbardhjen e plotë të përgjegjësive vijojnë, ndërsa Altin Ndoci mbetet ende në kërkim.
