Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ftuar Bjellorusinë të bashkohet me Bordin e Paqes në Gaza si anëtar themelues, tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme bjelloruse, Ruslan Varankov.

“Pala bjelloruse ka marrë një mesazh personal nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump drejtuar Presidentit bjellorus Alexander Lukashenko. Në të ftohet Bjellorusia të bëhet anëtare themeluese e Bordit të Paqes në kontekstin e përpjekjeve për zgjidhjen e konfliktit në Gaza”, e citoi atë shërbimi për shtyp i ministrisë.

Sipas zëdhënësit, presidenti iu përgjigj pozitivisht ftesës. “Qëndrimi ynë është si më poshtë: ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në punën e Bordit të Paqes me shpresën se kjo organizatë do ta zgjerojë autoritetin e saj shumë përtej kornizave të mandatit të saj të sugjeruar fillimisht. Kjo do ta bëjë të mundur që ajo të marrë pjesë aktive në proceset globale të zgjidhjes së çdo konflikti ndërkombëtar, gjë që, në planin afatgjatë, do të ndihmojë në ndërtimin e një arkitekture të re sigurie të promovuar nga Bjellorusia në vitet e fundit”, tha Varankov.

Bjellorusia, sipas tij, e vlerëson shumë faktin që pala amerikane e sheh atë si një shtet të aftë për të marrë përgjegjësi për ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe për të investuar në një të ardhme të sigurt dhe të begatë për brezat e rinj. “Ne gjithashtu e shohim këtë ftesë si një njohje të meritave personale dhe autoritetit ndërkombëtar të presidentit bjellorus”, theksoi diplomati.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb