Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj ka ngritur alarmin pas fikjes së dritave në QSUT, spitalin qendror të vendit. Lapaj thotë se stakimi i energjisë, për shkak të një avarie në linjat e transmetimit, preku edhe spitalin qendror të vendit, një institucion që nuk mund të mbetet asnjëherë pa energji elektrike, shton ai.

Lapaj thekson se në një spital ku kryhen ndërhyrjet më të vështira mjekësore dhe funksionojnë pavione të tëra reanimacioni, mungesa e energjisë nuk është thjesht një problem teknik, por një rrezik fatal për jetën e pacientëve.

Duke vënë në kontrast këtë situatë me shpenzimet milionëshe për koncesione, ai ngre pyetjen se si është e mundur që shteti paguan rreth 8 milionë euro në vit për Check-up-in dhe mbi 100 milionë euro për sterilizimin, ndërsa nuk garanton dot dritat në spitalin kryesor të Shqipërisë.

Postimi i Adriatik Lapajt në Facebook

QSUT është spitali qendror i vendit. Aty kryhen ndërhyrjet mjekësore më të vështira në vend. Janë pavione të tëra që kanë reanimacion. Është thjesht shokuese se si mund të ikin dritat aty! Nuk ka fare rëndësi arsyeja përse nuk ka drita, dritat aty thjesht nuk mund të mungojnë. Spitali si ai kanë linja të dyfishta, gjenerator e me radhë. Thjesht nuk mund të fiken dritat aty! Është fatale!

8 milion euro në vit për konçesionin e Check up-it;

100 milion euro për konçesionin e sterilizimit;

Si ka mundësi që ka miliona euro për konçesione, por nuk sigurojmë dot dritat në spitalin kryesor të vendit?

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb