Gjyqtarja Irena Gjoka fshehu dënimin në Greqi.

Ky ka qenë përfundimi i nxjerrë gjatë hetimeve të thelluara, të kryera nga sektori i dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme.

Sipas organit të akuzës, ka rezultuar se vendimi i autoriteteve greke, për dënimin e shtetases Irena Gjoka, me detyrë gjyqtare e KLGJ, është autentik.

“Ajo është dënuar në 2005 nga autoritetet greke me 3 muaj burg dhe gjobë. Rezulton se vendimi është autentik, për rrjedhojë Prokuroria ka dalë në përfundimin se gjyqtarja është dënuar, dënim që nuk e ka deklaruar në formularin e deklarimit. Në procesin e Vettingut, Gjoka ka plotësuar formularin e dekriminalizimit ku duhet të saktësonte nëse kishte qëndruar jashtë vendit më shumë se 3 muaj dhe nëse kishte ose jo një raport penal. Gjë që ajo nuk e ka bërë”, raporton gazetarja Klodiana Lala.

NJOFTIMI I PROKURORISE
Mbi bazën e kërkesës së Komisionit të Zhvillimit të Karrierës në Këshillin e Lartë Gjyqësor, më datë 08.05.2024 në Sektorin e Dekriminalizimit të Prokurorisë së Përgjitshme është regjistruar me nr.40 procesi per verifikimin e thelluar të deklarimeve të bëra në Formularin e Vetëdeklarimit date 22.04.2016, për subjektin Irena Gjoka(Shpata, Maneku), gjyqtare në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Pas kryerjes së të gjitha verifikimeve të mundshme brenda dhe jashtë vendit, më datë 19.01.2026, Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur miratimin e rezultateve të verifikimit, vendim të cilin po këtë datë ja ka përcjellë Këshillit të Lartë Gjyqësor si organ përgjegjës për verifikimin e kushteve të ndalimit në zbatim të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, dhe Vendimit të Kuvendit nr.17/2016 “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: