Po zhvillohet mbledhja e Byrosë së Kuvendit, ku do të shqyrtohet ankimi i deputetëve të Partisë Demokratike lidhur me përjashtimin e tyre nga seancat plenare. Në takim mungon kryeparlamentari Niko Peleshi.
Deputeti Belind Këlliçi ka deklaruar se mazhoranca e ka bunkerizuar Kuvendin e Shqipërisë dhe se arsyeja përse mbledhja nuk është pranuar të mbahet me praninë e mediave, është përpjekja për t’iu shmangur transparencës.
“E keni bunkerizuar Kuvendin e Shqipërisë. Kemi kërkuar praninë e mediave në këtë mbledhje, por ju i shmangeni transparencës. Kjo është e papranueshme. Nuk mund të vazhdohet kështu. Niko Peleshi nuk do duhej t’i shmangej kësaj mbledhjeje. Ju, me gardë, keni marrë zvarrë opozitën, ndërkohë që jeni kthyer në mburojë të krimit dhe korrupsionit”, tha ai.
Ndërkohë nënkryetari i PD Agron Gjekmarkaj, ka deklaruar se opozita po bën një betejë për të vendosur një vend demokratik dhe për shtetin e së drejtës.
“Ju jeni në logjikën e kartonave dhe jo në logjikën e së drejtës. Kryetari i Kuvendit ka preferuar të shmanget. Kjo është tregues dobësie. Deputetët e opozitës po bëjnë atë që ju nuk keni guxim ta bëni. Po bëjnë një betejë për një vend demokratik, që etërit e tyre e kanë marrë peng. Po bëjnë betejë për shtetin e së drejtës, të cilën ju e sulmoni dhe e keni marrë peng me korrupsion. Haxhi Lleshi ka qenë më tolerant me deputetët e tij në komunizëm sesa bijtë e Haxhi Lleshit sot përballë opozitës”, tha ai.
